Osmani: Liria, rezultat i sakrificës së UÇK-së, vizionit të Rugovës dhe aleancës historike me ShBA-në dhe BE-në
Në Komunën e Mitrovicës është bërë inaugurimi i 27 fotografive të intelektualëve më të shquar mitrovicas.
Përveç përfaqësuesve të institucioneve qendrore dhe lokale, të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe lideri i partisë “SDA” nga Sanxhaku, Sulejman Uglanin, familjarë të figurave që u nderuan, intelektualë e qytetarë të shumtë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë para të pranishmëve se ka ardhur këtu që ta përkrah një koncept-ide që do të duhej t’i përcillte edhe brezat e ri, në mënyrë që të forcohet roli i intelektualëve në një shoqëri.
Sipas saj, brezat e ardhshëm duhet të edukohen me veprat patriotike të këtyre personaliteteve që janë promovuar sot.
“Duke pasur parasysh rolin dhe kontributin e këtyre intelektualëve, fotot e të cilëve po e zbukurojnë sot këtë shesh, ne dëshirojmë që brezat e ardhshëm të edukohen edhe me fytyrën patriotike të këtyre personaliteteve…Pra ne sot po nderojmë dhe kujtojmë breza të tërë që ndikuan në forcimin dhe brumosjen e ideve kombëtare e patriotike në atë kohë që secila fjalë që e thoje dhe shkruaje, nënkuptonte se po rrezikon jetën tënde dhe të familjes tënde… Jam posaçërisht e gëzuar që këtu sot po promovohen edhe figura grashë, të cilat shumë kohë para nesh kanë treguar se barazia është e domosdoshme në arsim e kudo qoftë, në mënyrë që ne të mund të ecim përpara si shoqëri”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se një shoqëri si ajo e Kosovës duhet ta kuptojë se liria të cilën e gëzojnë sot qytetarët, është rezultat i sakrificave të shumëfishta, në radhë të parë i brezave të tërë të cilët dhanë jetën e që ka kulmuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare, pastaj vizionit politik të ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, aleancës historike me ShBA-në, BE-në dhe fuqitë demokratike të botës.
Ndërsa Faruk Mujka, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, ka thënë se sot po përkujtohen 27 figura të ndritura të cilat sipas tij kanë përçuar zërin e Mitrovicës anembanë rruzullit tokësor.
Ai ka thënë se qyteti i Mitrovicës me historinë që ka, ka qenë gjithmonë në ballë të proceseve dhe zhvillimeve progresive gjithandej trojeve shqiptare.
“Mitrovica ndoshta edhe nuk ka histori të gjatë sikurse disa qytete tjera, por për aq histori sa ka, është plotë krenari dhe gjithmonë në ballë të proceseve e zhvillimeve progresive në trojet shqiptare”, ka thënë Mujka.