ASK: Shkalla e punësimit për tremujorin e dytë 2020 ishte 24.1  për qind, papunësia 27.2  për qind

22 dhjetor 2020 | 14:29

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore, për tremujorin e dytë 2020 ishte 24.1 për qind, ndërsa punësimi me i lartë ishte te meshkujt 36.2 për qind,dhe te femrat 12.1 për qind, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Në raportin më të ri të kësaj agjencie për tremujorin e dytë 2020, femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 57.4  për qind të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 42.3 për qind.

“Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 18.7 për qind; arsimi me 11.0 për qind, prodhimi me 10.8 për qind, si dhe ndërtimtaria me 8.7 për qind. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim. Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 42.9 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme, në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 57.1 për qind kanë kontratë të përkohshme”, është thënë në raportin e ASK-së.

Sipas këtij raporti, bazuar në rezultate të anketës së fuqisë punëtore, në tremujorin e dytë 2020, shkalla e papunësisë ishte 27.2 për qind, ku më e theksuar ishte te femrat me 31.4 për qind, krahasuar me meshkujt, që ishte 25.7 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup-moshat 15-24 vjeçare, me 54.1 për qind.

“Sipas rezultateve të anketës së fuqisë punëtore, në tremujorin e dytë 2020, fuqia joaktive ishte mjaft e lartë, me 66.8 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 82.4  për qind, krahasuar me meshkujt, 51.2 për qind. Ndryshe, për realizimin e anketës së fuqisë punëtore për tremujorin e dytë 2020, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostatit”, thuhet në raport.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot skadon dekreti që zgjati gjashtë muaj, e që iu…