Gent Cakaj ministri i parë i jashtëm që viziton “Muzeun e Alfabetit” në Manastir
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi ditën e sotme një vizitë zyrtare në “Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe”, në Manastir të Maqedonisë së Veriut.
Kjo është hera e parë që një ministër i jashtëm i Republikës së Shqipërisë viziton zyrtarisht Manastirin, aty ky 100 vite më parë, u zyrtarizua alfabeti i gjuhës shqipe.
Kreu i diplomacisë Cakaj, dhuroi materiale të rëndësishme historike të ruajtura në arkivin e shtetit shqiptar, të cilat për vite me rradhë i mungonin Muzeut të Alfabetit. Këto materiale historike, sipas Cakaj shërbejnë në forcim të mbamendjes kombëtare e pasurimit të mëtejmë të Muzeut të Alfabetit të gjuhës shqipe.
Bëhet fjalë për korrespondencat dhe ftesat mes delegatëve, verbalet e punimeve të Kongresit, disa fotografi, si dhe vulën e shoqërisë literale “Ylli i Mëngjesit” të motrave Kajtazi. Tashmë këto materiale i janë shtuar fondit historik të Muzeut të Alfabetit, në Manastir.
Gjatë qendrimit në Manastir, Ministri në detyrë Cakaj vizitoi gjithashtu Konsullatën e Nderit të Shqipërisë, si dhe zhvilloi takime me përfaqësues të komunitetit dhe shoqërisë civile shqiptare në Maqedoninë e Veriut.