Të burgosurit nisin prodhimin e qeseve për mbeturina

24 dhjetor 2020 | 12:41

Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) në kuadër aktiviteteve të punës së organizuar nëpër institucione korrektuese, ka pranuar donacion nga organizata joqeveritare “Help Kosovo”, makinë për prodhimin e qeseve të mbeturinave.

Me fillimin e prodhimit të qeseve për mbeturina nga të burgosurit, përveçse synohet rehabilitimi edhe risocializimi i tyre, synohet edhe ulja e shpenzimeve ekonomike, e po ashtu edhe rritja e nivelit të higjienës dhe pastërtisë brenda institucioneve korrektuese.

Është bërë me dije se vetëm në kontingjentin e parë janë prodhuar 120 mijë qese të mbeturinave, ku rrjedhimisht është kursyer buxheti i ShKK-së për 5 mijë euro.

Aktualisht në Burgun e Sigurisë së Lartë janë duke funksionuar tri punëtori, në të cilat bëhet prodhimi i letrës higjienike, prodhimi i qeseve të mbeturinave, si dhe zdrukthëtaria. Në këto punëtori janë të angazhuar mbi njëzet të burgosur, ndërsa produktet e prodhuara do të përdoren për nevojat e të gjitha institucioneve korrektuese.

Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka theksuar se ka për qellim që me anë të njësisë ekonomike të angazhojë të burgosurit në punë dhe aktivitete të ndryshme, po ashtu me anë të punës së organizuar në institucione korrektuese synohet në një ulje të konsiderueshme të shpenzimeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja Blerta Deliu-Kodra ka thënë se PDK-ja është e hapur…