3.6 milionë turistë më pak në Shqipëri gjatë pandemisë

25 dhjetor 2020 | 14:09

Kufizimi i lëvizjeve për shkak të pandemisë ka ndikuar ndjeshëm në hyrjen e shtetasve të huaj dhe daljen e shqiptarëve, duke ndikuar sidomos negativisht turizmin në vend.

Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në njëmbëdhjetë mujorin e 2020-tës është 2.477.003, duke rënë me 59,5 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. “Në total janë 3.64 milionë shtetas të huaj më pak, në krahasim me 11 mujorin 2019”, thuhet në raport.

Përgjatë njëmbëdhjetë muajve të 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 40,4 për qind, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 90,7  për qind,krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Nëntor 2020, janë 360.343. Krahasuar me Nëntor 2019, ky tregues rezulton me rënie 48,1  për qind.

Në nëntor 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar janë 148.362, krahasuar me Nëntor 2019, ky numër ka rënë me 44,7  për qind.

Në nëntor edhe shtetasit nga Kosova kanë shënuar një rënie të lehtë, me 5.9 për qind, ndryshe nga shtatori dhe tetori kur hyrjet e shtetasve nga Kosova njohën një rritje dy shifrore. Por rritje të fortë në nëntor  shënuan shtetasit nga Maqedonia, që ishin 29 për qind më shumë se i njëjti muaj i një viti më parë.

Ndërsa, kanë shënuar rënie të thellë hyrjet e shtetasve në nëntor nga Greqia (-89 për qind), pas problemeve e vonesave në kufirin grek, nga Italia (-72 për qind), nga Spanja (-93 për qind), nga Polonia (-82 për qind).

Për shkak të rënies së lartë të hyrjes së shtetasve të huaj gjatë këtij viti nga kufizimet e pandemisë, është rritur pesha e turistëve nga Kosova. Për 11 mujorin 2020, hyrjet e shtetasve nga Kosova përbënin 52 për qind të totalit, nga 35 për qind që ishte kjo peshë për të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan “monitor.al”.

2.7 milionë shqiptarë më pak udhëtuan jashtë

Edhe udhëtimet e shqiptarëve jashtë kanë qenë shumë të kufizuara, me 2.7 milionë shtetas nga Shqipëria që kanë dalë jashtë vendit për 11 mujorin, në krahasim me janar-nëntor 2019.

Sipas INSTAT, Daljet  e  shtetasve  shqiptarë  dhe  të  huaj  nga  territori  shqiptar,  gjatë  muajit Nëntor 2020,  janë 366.335 duke  shënuar  një  rënie  me 53,5 për qind, krahasuar  me  të  njëjtën  periudhë  të  një  viti  më  parë.  Daljet  e shtetasve  shqiptarë  nga  territori  i  Shqipërisë  gjatë  muajit Nëntor2020  janë 208.183.  Krahasuar  me Nëntor2019, ky numër ka rënë 56,6 për qind.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Nëntor2020, janë 158.152. Krahasuar me Nëntor2019, ky numër ka rënë 48,5 për qind. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në njëmbëdhjetë mujorin e 2020-tës, është 2.691.130 duke rënë 50,5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës e presidentit, Vjosa Osmani, ka përfunduar takimet…