70 për qind e qytetarëve besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia

25 dhjetor 2020 | 15:27

Drejtësia Sot, platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka organizuar të premten konferencën për media në të cilën u shpalosën të gjeturat e botimit të gjashtë të “Indeksit të performancës së institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, i njohur me emrin RoLPIK”.

Kjo konferencë u titullua “Sfidat në sundimin e ligjit në Kosovë: Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetar ndaj këtyre institucioneve” për arsye se edhe edicioni i gjashtë i RoLPIK është bazuar në të dhënat e perceptimit qytetar mbi punën e institucioneve zbatuese të ligjit, në raportet vjetore të Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës dhe në ligjin për buxhetin, duke bërë krahasime përgjatë viteve 2013-2019.

Nga të dhënat e RoLPIK, Drejtësia Sot, ka vërejtur që përkundër agjendës “Drejtësia 2020” dhe procesit të rishikimit funksional, që të dyja të nisura nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim kryesor sigurimin e mbarëvajtjes dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi.

Më shumë se gjysma e qytetarëve mohojnë të kenë vërejtur përmirësim në sistemin e drejtësisë. Ndërsa, vetëm 30.7 për qind e qytetarëve mendojnë se ka efekte pozitive në këtë aspekt. Drejtësia Sot, përmes edicionit të gjashtë të RoLPIK ka ofruar të dhëna sipas ndarjes së indikatorëve: në perceptimin qytetar dhe në performancën e sistemit të drejtësisë.

Perceptimi qytetar mbi institucionet e drejtësisë ndër vite, është trajtuar nga RoLPIK përmes indikatorëve si ndikimi politik, mitmarrja, raportimi dhe efektiviteti në luftën kundër korrupsionit. Ndërsa performanca e sistemit të drejtësisë është trajtuar në bazë të efikasitetit, shkallës së mbipopullimit, ngarkesës së sistemit të drejtësisë, dhe alokimeve buxhetore.

Drejtësia Sot, ka gjetur se sa i përket ndikimit politik në institucionet e drejtësisë, për vitin 2020, rreth 68.5 për qind e qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji, kurse vetëm 21.4 për qind prej tyre mendojnë se qytetarët janë të barabartë para drejtësisë.

Duke bërë që përafërsisht 70 për qind e popullsisë besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia. Për më tepër, sipas të dhënave të raportit 63.7 për qind e qytetarëve i besojnë më së paku gjykatave dhe prokurorive sepse mendojnë se kanë influencën më të madhe nga politika.

Ndërsa institucionet me influencën më të vogël politike i konsiderojnë Policinë e Kosovës me 20.3 për qind dhe EULEX-in me 13.9 për qind. Sa i përket mitmarrjes, RoLPIK ka vënë në pah se 48.1 për qind e të anketuarve, besojnë se institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë të prekura nga kjo dukuri. Pavarësisht se në krahasim me vitin paraprak përqindja është ulur për 0.5 për qind, perceptimi negativ mbetet mendim i shumicës. Ku institucionet më të prekura nga kjo dukuri sipas 59.5 për qind e qytetarëve janë gjykatat dhe prokuroria, që në krahasim me vitin e kaluar kemi ulje të trendit për 4.7 për qind.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Apelit e ka liruar nga akuzat për korrupsion,…