Hoxhaj takohet me drejtuesit e sindikatave të shëndetësisë dhe arsimit: PDK-ja do t’i vazhdojë politikat konstruktive

25 dhjetor 2020 | 15:58

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga sekretari i kësaj partie, Uran Ismaili dhe anëtari i kryesisë, Bedri Hamza, kanë pritur të premten në takim përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Odës së Mjekëve dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).

Kryetari i FSShK-së, Blerim Syla, kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu dhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj kanë përgëzuar kryetarin në detyrë, Enver Hoxhaj dhe Partinë Demokratike të Kosovës për konstruktivitetin politik, siç ishte rasti i fundit me votimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike.

Më tutje, në këtë takim i cili ishte vetë kërkesë e këtyre sindikatave dhe profesionistëve, që të gjithë njëzëri kanë kërkuar nga kryetari Hoxhaj që të vazhdojë politikat në të mirë të qytetarëve dhe shtetit edhe në proceset tjera në vazhdim, siç është votimi i buxhetit.

Hoxhaj ka falënderuar udhëheqësit e këtyre sindikatave dhe odave për vizitën dhe bashkëpunimin e tyre profesional që kanë pasur gjithmonë me PDK-në.

Me këtë rast, kryetari Hoxhaj ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, ashtu siç e ka dëshmuar historikisht, do të vazhdojë edhe më tej politikat konstruktive në të mirë të shtetit dhe qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e famshme, Rita Ora, ka qenë kryefjalë e mediave…