Momenti i shpërthimeve të fuqishme në aeroportin e Jemenit (Video)

30 dhjetor 2020 | 14:00

Shpërthime të forta dhe të shtëna armësh janë dëgjuar në aeroportin e Adenit menjëherë pasi një aeroplan që mbante qeverinë e sapoformuar të Jemenit mbërriti nga Arabia Saudite të mërkurën, thanë dëshmitarët.

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, anëtarët e kabinetit, duke përfshirë kryeministrin Maeen Abdulmalik, u transferuan të sigurt në pallatin presidencial të qytetit, thanë dëshmitarët dhe media saudite.

“Numri i viktimave nuk është konfirmuar ende, por burimet thanë se shpërthimet ishin të fuqishme”, ka thënë Mohammed al-Attab i Al Jazeera, duke raportuar nga Sanaa.

Burime të sigurisë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se të paktën pesë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Ndërsa një korrespondent i AFP në vendngjarje tha se ai dëgjoi dy shpërthime.

“Të paktën dy shpërthime u dëgjuan ndërsa anëtarët e kabinetit po largoheshin nga avioni”, tha korrespondenti.

Televizioni shtetëror saudit Ekhbaria tregoi automjete të shkatërruara dhe xhama të thyer.

Formimi i kabinetit të ri 24-anëtarësh, i cili u betua të shtunën nga presidenti i Jemenit, Abedrabbo Mansour Hadi, krijon një front të përbashkët kundër luftëtarëve që kanë kapur pjesën më të madhe të veriut.

Dhjetëra mijëra njerëz, kryesisht civilë, janë vrarë dhe miliona janë zhvendosur në luftën e rëndë pesë-vjeçare të Jemenit, e cila ka shkaktuar atë që Kombet e Bashkuara e kanë quajtur katastrofën më të rëndë humanitare në botë.

Qeveria e re u formua nën kujdesin e Riadit, i cili drejton një koalicion ushtarak kundër rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani, të cilët morën kontrollin e kryeqytetit Sanaa në vitin 2014.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është  vendosur të mërkurën pllaka e klubit së lexuesve me…