Ky është mesazhi i kryeministrit Hoti për Vitin e Ri (Video)

31 dhjetor 2020 | 15:11

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ua ka uruar festën e Vitit të Ri qytetarëve të Kosovës, teksa ka përmendur edhe arritjet e qeverisë së tij përgjatë kohës së qeverisjes së legjislaturës së shtatë.

Hoti, përmes një videoje të publikuar në llogarinë e vet në “Facebook”, ka thënë se pakoja ekonomike ka qenë një ndër më të mëdhatë në vend, gjersa ka vlerësuar se Kosova ka qenë një ndër vendet që ka menaxhuar më së miri pandeminë.

“Qeveria ka bërë të pamundurën për t’iu dalë në ndihmë të gjithëve. Mbase kjo mbështetje nuk ka qenë në shkallën që qytetarët tonë e meritojnë. Pakoja jonë ekonomike ka qenë ndër më të mëdhatë në rajon”, ka deklaruar ai.

Më tutje, ai ka falënderuar edhe punonjësit shëndetësor, policët, inspektorët e qytetarët për, siç ka thënë ai, profesionalizmin e treguar përgjatë pandemisë.

“Lutjet e mia janë për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre. Angazhimi i jashtëzakonshëm i mjekëve, infermierëve, policëve, inspektorëve dhe vetë qytetarët e kanë renditur Kosovën ndër vendet me sukses që e kanë menaxhuar këtë pandemi. Andaj dua t’i falënderoj të gjithë nga zemra për profesionalizmin dhe vullnetin për të dalë në ndihmë, anekënd Kosovës”, ka thënë Hoti.

Linku i videos: https://www.facebook.com/watch/?v=712687059450044.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, ka folur për sfidat e këtij viti…