Viti i ri me sfida dhe probleme të vjetra për institucionet emergjente në Kosovë

03 janar 2021 | 11:19

Tahir Ahmeti, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC)

Vitet e fundit jemi dëshmitarë të fatkeqësive të ndryshme natyrore që po ndodhin në mbarë globin, si dhe përpjekjeve të atyre vendeve që sa më mirë ti menaxhojnë këto fatkeqësi në mënyrë që të kenë sa më pak pasoja.

Por çka janë fatkeqësitë natyrore?

Me fatkeqësi natyrore kuptohen tërmetet, përmbytjet, thatësirat atmosferike të tejzgjatura, rrëshqitjet arkitektonike, ortekët, erërat e forta, zjarret në pyje dhe në mjediset e banuara, sëmundjet infektive masive, pasojat e të cilave prekin popullatën, pronën, mjedisin, si dhe ngjarje të tjera të shkaktuara nga dukuri natyrore, ndërsa me fatkeqësi të tjera kuptohen aksidentet rrugore, hekurudhore, detare, ajrore, si dhe zjarret, shpërthimet, rrëzimet e digave, aksidentet bërthamore, ekologjike ose industriale dhe çdo lloj tjetër aksidenti të shkaktuar nga veprimi njerëzor, nga luftërat ose gjendjet e emergjencës, si dhe format e tjera të dhunës masive.

Kur jemi te fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, edhe Kosova potencialisht mund të goditet nga këto rreziqe të cilat mund të vijnë qoftë nga natyra, qoftë nga faktori njeri.

Vendi ynë në bazë të rasteve më të shpeshta që kemi pasur, kryesisht rrezikohet nga tërmetet, vërshimet, zjarret e pyjore dhe erërat e forta, por si rrezik mund të konsiderohen edhe ortekët e borës, rrëshqitjet e dheut, sëmundjet infektive masive etj. Gjithashtu, rreziqe mundë të vijnë edhe nga faktori njeri, si: sulmet e supozuara terroriste, aksidentet ajrore, hekurudhore, rrugore dhe rrjedhjet e mundshme të materieve kimike dhe naftës.

Institucionet emergjente në Kosovë, edhe pse me kuadër të konsoliduar ligjor, sillen në rreth vicioz. Në rast të ndonjë fatkeqësie më të madhe natyrore, Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore, logjistike dhe operacionale, si dhe patjetër që duhet përsëritur për të satën herë që shteti i Kosovës nuk ka asnjë helikopter të vetëm, për ta përdorur në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore.

Përkushtimi dhe profesionalizmi i këtij institucioni nuk është në trendin e vet më të mirë.

Duhet të ketë sa më shumë trajnime, plane dhe përgatitje në vazhdimësi, ndërsa ushtrimet praktike të koordinuara të të gjitha institucioneve kompetente, janë mënyra më e mirë për të qenë sa më të gatshëm dhe më të përgatitur për ti përballuar fatkeqësitë e mundshme natyrore.

Një rishikim i plotë i institucioneve, përgjegjësive të tyre, kapaciteteve humane dhe teknike, aftësisë së tyre vepruese, buxhetit të tyre dhe koordinimit mes tyre është më së i domosdoshëm.

Shkruar enkas për “Epokën e re”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Irani ka varur dy burra për “akte të terrorizmit” dhe…