Kina ‘minon’ amerikanët, akuza për komplot ndaj trupave në Afganistan

03 janar 2021 | 12:22

Raportet në medie tregojnë se presidenti amerikan, Donald Trump kohët e fundit ka marrë disa informacione që tregojnë se Kina u ofroi para disa aktorëve joshtetërorë në Afganistan për të sulmuar ushtarët amerikanë.

Duke folur ne kushte anonimiteti, një zyrtar i lartë i administratës Trump ka konfirmuar për “Zërin e Amerikës” se “informacioni sekret u përfshi në raportin që iu dha presidentit më 17 dhjetor dhe Trump u informua personalisht mbi këtë çështje nga këshilltari i sigurisë kombëtare Robert O’Brien”, siç ka pohuar edhe agjencia e lajmeve “Axios”.

Zyrtarët amerikanë është thënë se po punojnë për të vërtetuar zbulimet e inteligjencës, të cilat ka të ngjarë të rrisin tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit.

“Nuk është asgjë tjetër përveç një lajmi të rremë që synon të njollosë Kinën”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin, ndërsa i është përgjigjur pretendimeve të Shteteve të Bashkuara në konferencën e tij të rregullt për shtyp.

Ai ka thënë se akuzat kishin për qëllim të “dëmtonin imazhin e Kinës” dhe të cenonin  marrëdhëniet midis dy vendeve. Nuk është e qartë nëse presidenti i zgjedhur Joe Biden është informuar në lidhje me komplotin e pretenduar kinez.

“Ekipet tona do të përpiqen të mësojnë sa më shumë në lidhje me këto akuza nga administrata në largim, dhe ky është një ilustrim tjetër pse kemi nevojë për bashkëpunim të plotë, përfshirë nga Departamenti i Mbrojtjes”, i ka thënë rrjetit “CNN” një zyrtar i ekipit të tranzicionit të Biden-it, që nuk pranoi të zbulonte identitetin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Po hyjmë në vitin 2021 plot shpresë dhe parashikimet e…