Shkëmbi, pas prezantimit: Kemi synime të qarta me Ballkanin

04 janar 2021 | 18:53

Strategu shqiptar Bledi Shkëmbi ka thënë se i ka synimet e qarta me skuadrën e Ballkanit nga Suhareka. “Këtu objektivat janë të mëdha dhe është një klub me objektiva të qarta. Vijë me dëshirën dhe bindjen se këtu do të kem sukses. Klubi dhe skuadra kanë bërë një punë të shkëlqyer, përfshirë edhe ish-trajnerin Munishi që kam shumë respekt”, ka thënë ai. Ndërsa klubi njoftoi se Francesco Vitobello dhe Alban Shala do të jenë ndihmësit e Shkëmbit.  

Trajneri nga Shqipëria, Bledi Shkëmbi, është prezantuar të hënën në skuadrën e Ballkanit. Klubi nga Suhareka ka njoftuar se ndihmës të Shkëmbit do të jenë Francesco Vitobello dhe trajneri kondicional Alban Shala.

“Në takim është bërë njoftimi formal ndërmjet stafit të ri dhe futbollistëve si dhe është shpalosur dinamika e ardhshme për sa i përket fazës përgatitore”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.

Shkëmbi e ka zëvendësuar në postin e trajnerit, Ismet Munishi, i cili vlerësohet më meritori për ngritjen e nivelit të Ballkanit në elitë gjashtë dy vjetëve të fundit. Trajneri nga Shqipëria është i bindur se në skuadrën e Ballkanit suksesi nuk do të mungojë, pasi është një klub me futbollistë cilësorë dhe është bërë një punë e madhe. Shkëmbi ka lavdëruar edhe punën e Munishit se ishte trajner i kësaj skuadre.

“Falënderoj drejtuesit e klubit për besimin. Është një kënaqësi dhe pas trajnimit të Lirisë e kam ditur se një ditë do të kthehesha në Kosovë. Këtu objektivat janë të mëdha dhe është një klub me objektiva të qarta. Vij me dëshirën dhe bindjen se këtu do të kem sukses. Klubi dhe skuadra kanë bërë një punë të shkëlqyer, përfshirë edhe ish-trajnerin Munishi që kam shumë respekt. Do t’i mëshojmë shumë objektivit sepse është bërë një punë e madhe. Duhet ta kemi edhe fatin në krah”, ka thënë Shkëmbi.

“Jam i bindur se jemi në garën për titull dhe lojtarët kanë treguar se e duan këtë gjë. Ekipi është i kompletuar. Nëse do të isha nga dita e parë e krijimit të skuadrës nuk do të kisha asnjë pikëpyetje për lojtarët që kanë atë çka duhet për titullin”, ka deklaruar trajneri shqiptar.

Skuadra e Ballkanit kishte paraqitje fantastike gjatë sezonit vjeshtor, por në disa ndeshje të fundit forma e kësaj skuadre pësoi rënie dhe e humbi pozitën e parë.

Pas kësaj erdhi edhe shkarkimi i Ismet Munishit dhe emërimi i Bledi Shkëmbit në krye të shtabit teknik, në mënyrë që ky klub ta ndjekë titullin e kampionit në Superligë, në të njëjtën kohë synon triumfin edhe në garën e Kupës.

Ballkani sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e dytë në tabelë me 38 pikë të grumbulluara, tri me pak se Drita që mban pozitën e parë dhe gjashtë më shumë se Prishtina që pozicionohet e treta në renditjen tabelore. Klubi që drejtohej nga Ismet Munishi në sezonin vjeshtor nga 18 ndeshje regjistroi 12 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje.

(Veton ZYMBERI)  

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, në takimin e organizuar nga dega e PDK-së në…