Agim Bahtiri me akuza të rënda për Enver Hoxhajn

06 janar 2021 | 14:15

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit në detyrë të PDK-së, Enver Hoxhaj, për keqqeverisje në këtë komunë.

Bahtiri në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Hoxhaj dhe partia e tij e dinë më së miri se kush e ka shkatërruar Mitrovicën.

“Enver, e kuptoj që duke u marrë me mua po dëshiron ta marrësh vëmendjen e publikut në garën tënde imagjinare për kryeministër. Por duhet ta keni parasysh, se ju nuk jeni as kandidat serioz, sepse jeni veç një kukull dhe një servil që Hashim Thaçi e ka lënë për ta zëvendësuar”, ka shkruar Bahtiri.

Postimi i plotë i Bahtirit:

Enver Hoxhaj paska folur për Mitrovicën dhe Qeverisjen time komunale, duke bërë akuza pa asnjë argumentim konkret, por vetëm duke shpifur siç dinë të bëjë partia e tij fushata zgjedhore dhe jo vetëm.

Se kush e ka shkatërruar Mitrovicën pas luftës, duhet ta dijë më së miri Enver Hoxhaj dhe partia e tij, të cilët qytetin më të zhvilluar ekonomikisht e kanë ndarë në dy pjesë, ndarje të cilën e kanë përdorë grupet e afërta kriminale me PDK-në për kontrabandë dhe në përgjithësi për biznes me serbët e veriut.
Mitrovicën e udhëhequr nga PDK-ja e kam gjetur të rrethuar me barrikada, me vrasje si asnjë qytet tjetër e me haraç.

Sot, Mitrovica është qytet më i qetë në Kosovën, ku viti 2020 u përmbyll pa asnjë vrasje. Në Mitrovicën që e udhëheq unë janë bërë investime prej 300 milionë euro, ku prej tyre vetëm kompania “SOWI KOSOVA” po i investon 168 milionë euro në energji të erës në Bajgorë.

Nën qeverisjen e PDK-së qytetarët për ta kryer një shërbim janë detyruar të paguajnë ryshfet tek njerëzit që kanë qëndruar në kafenetë pranë komunë, ndërsa nën qeverisjen time komuna e Mitrovicës sapo është shpallur nga KDI ndër dy komunat më transparente në Kosovë. Në kohën e PDK-së Mitrovica ka qenë qyteti më i ndotur në Kosovë, ndërsa muajin e kaluar Mitrovica është shpallur qyteti më i pastër në Kosovë.

• Enver, ju prej pasluftës ua keni humbur perspektivën e mitrovicasve, duke shkatërruar ‘Trepçën’ përmes vendosjes në krye të saj të ish kryetarit të degës së PDK-së në Mitrovicë;
• Ju e keni dëmtuar Universitetin e Mitrovicës, duke vendosur si rektor ish sekretarin e degës së PDK-së në Mitrovicë;
• Ju e keni dëmtuar ATK-në duke e vendosur si drejtor anëtarin e Kryesisë së PDK-së;
• Ju e keni dëmtuar Akademinë e Policisë në Vushtrri, duke e bërë drejtori ish nënkryetarin e komunës që ishte nga partia e juaj;
• Ju e keni shkatërruar administratën komunale, duke punësuar familjarët e drejtorëve tuaj komunal dhe drejtuesve të degës së PDK-së;
• Ju e keni dëmtuar pronën komunale, duke i dhënë një pjesë të madhe zyrtarëve të partisë tuaj;
• Ju e jeni keni dëmtuar buxhetin komunal, ku kam gjetur miliona euro borxh kur kam ardhur në krye të komunës;
• E fundit për nga radha, por e para për nga rëndësia, ju e keni pamundësuar kthimin e shqiptarëve në veri, pasi që njerëzit e partisë tuaj kanë keqpërdorur me fondin për rindërtimin e shtëpive, ku shumica nuk kanë përfunduar kurrë dhe asnjëherë s’kanë mundur të banohen.

Enver, e kuptoj që duke u marrë me mua po dëshiron ta marrësh vëmendjen e publikut në garën tënde imagjinare për kryeministër. Por duhet ta keni parasysh, se ju nuk jeni as kandidat serioz, sepse jeni veç një kukull dhe një servil që Hashim Thaçi e ka lënë për ta zëvendësuar.

Për më tepër, qytetarët e Mitrovicës e dinë më së miri kush punon e mendon për ta, ku ua treguan vendin në dy mandate, e që do t’ua tregojnë vendin edhe sivjet, sepse ata nuk duan që kapot e krimit dhe korrupsionit ta marrin komunën në duart e tyre. Edhe pak muaj kanë mbetur, kur mitrovicasit do të rikonfirmojnë mbështetjen për qeverisjen time komunale me mbi 60 për qind të votave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka mbajtur takimin…