GJURMËT E HUMBURA

06 janar 2021 | 14:18

Shkruan: Teuta Haxhijaj –

E lindur në një familje tipike të madhe dhe të njohur ne Podgur të Dukagjinit, e kisha fatin të rritem dhe të edukohem me traditat tipike të asaj ane. Po ashtu edhe nga dajët, një familje në zë e Ramë Tahirit “islihat“ në kohën e tij, në kohë të Shqipërisë, me Col Bajraktarin e Uçës dhe Bardh Isufin.

Si më e vogla në familje, shumë kureshtare dhe me pyetje të shumta, isha e përzgjedhura e mixhës Haxhi (burrë i njohur n ‘anën tonë, patriot dhe shumë herë i burgosur, tashmë në moshë të shtyrë), të me merrte me vete, nganjëherë edhe në Oda të burrave, në t ‘pame e në tubime tjera.

Po ashtu baba, një burrë që e kishte mbaruar «Normalen» dhe qysh atëherë e kishte vizituar Turqinë, pastaj Francën, Gjermaninë, Holandën e vende të tjera të Evropës perëndimore, më merrte me vete. Kur shkonte diku, e kishte zakon me m ‘thanë: «po t ‘marr se sheh najsen, ninë najsen, mëson najsen. T’gjindet qaty, jetës nuk i dihet. Senet për jetë nuk ki me mujtë m’i m’su n’shkollë, aty ke me marre veç një zanat».

Me kujtohet kur isha diku 6-7 vjeçare, kur mixha Haxhi bashkë me babën Brahim temin, më morën me vete në një varrim të një kushërini të largët të tyre. Pasi u krye ceremonia e varrimit, baba m ‘tha: «a ki qejf me ditë cili është varri i nenës Hylë (gjyshes tem)? Hajde t ‘shkojmë qatje ma poshtë janë varret tona, tha».

Duke shkelë herë mbi një gur e herë mbi një tjetër, tu marrë n’thue herë mbi do dhe të ngritur pak ma lartë e do ma të rrafshuar, ecnim nëpërmes varreve qe ishin pa asnjë rend dhe pa asnjë emër. Disa ishin të shënjuar me gurë e disa me vetëm nga një kunj më të gjatë te kryet e një më të shkurtër te këmbët. Mbi njërin kunj, në të shumtën e rasteve, qëndronte varur një tas plastike ose metali i kthyer përmbys.

Dikur u afruam te disa varre që po ashtu ishin shumë afër njëra tjetrës sa që e kishe vështirë m’i nda bile. “Ky këtu është varri i gjyshes tënde, e qyky tjetri është i babagjyshit, e ai pak ma andej asht i motrës tënde t ‘vogël qe ka vdekë para se me le ti…! E ma andej nuk di as unë, se varri i babagjyshit tim, i gjyshes e të tjerëve janë rrafshua e nuk dihet as ku janë kanë. Janë rrafshu e nuk u kujdesë kush për to se shumë hoxhallarë gjithmonë kanë thanë se m‘i ndreqë vorret asht haram. E bile thoshin asht sevap i madh m‘u rrafshua varri pa u bo motmoti e mos me u ditë as ku u kanë. E unë për shembull nuk muj e bej ispatë me kurrgjë që gjysh e katragjysh kanë jetua n ‘këtë vend. Me çka? S‘ka kurgjo, as t’shkrume e as t’shejume, as letra e as varre. Nuk i viziton kush përveç Bajram’em Bajram sa për adet”.

–  Ne vitin 1966, – vazhdoi baba, i kemi vizitua do nipa e Saradranit që janë shkua n‘Stamboll dhe i kanë vizitua edhe varret e atij vendi. “Kënaqej syri mi pa, secili ma i rregulluam se tjetri, te shënuar me emra, të ku me ditë të sa gjeneratave më përpara. Çudi që për ata, rregullimi i varreve nuk ish haram, e për neve po”!

Si shumë e vogël që isha, ajo pamje e varreve zgjoi në mua një ndjenjë të tmerrshme të frikës, se ku po përfundoj ka njeriu. Me u harru përgjithmonë si mos me pas kanë kurrë. Atëherë nuk e dija se bash çka po mundohet baba me m’kallxu dhe fillova me kuptuar pak vite ma vonë kur erdha në Gjermani.

Jo shumë larg banesës ku banonim, ishin varrezat kryesore të qytetit. Ishin të rrethuara bukur me një mur jo shume të lartë dhe me shumë lule para derës e cila ishte e hapur, në të cilën ndodhej një pllakë me mbishkrimin : « Ju lutemi të mbani qetësinë dhe respektin“.

Nga kureshtja, e cila rrallë m’ka lanë rahat, hyra brenda.

Ishte aq bukur, si një lloj parajse mbi tokë.

Me dukej se çdo lloj i mundshëm i lisave ishte mbjellë dhe po iu bënte hije atyre që pushonin përgjithmonë aty. Aq shumë lule e aq shumë gjelbërim. Të renditura sipas familjeve, dhe disa tepër të vjetra, ishin të gjitha të rregulluara rend për rend Kulturë! Shekuj! Histori!

Kultura e lashtësia e një populli shihet në varrezat e tij, e kur ato shkatërrohen, shkatërrohen shenjat e tij, historia, e kaluara, dinjiteti i tij.

E ne kurrë nuk kemi ditë me ruajt atë çka ka qenë e jona, por ama, ne gjithmonë kemi ditë me shkatërrua, me injorua, tjetërsua e me shkelë me te dy këmbët identitetin tonë kombëtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pak orë para ndeshjes AC Milan-Juventus, “Rossonerët” kanë konfirmuar dy…