Telekomi i Kosovës: Qeveria po rrezikon funksionimin e ndërmarrjes

11 janar 2021 | 16:37

Marrëveshja e fundit për zhbllokimin e llogarive të Telekomit dhe shlyerjen e obligimeve ndaj “Z-Mobile” me ndërmjetësim të Qeverisë ka rënduar gjendjen financiare në korporatë.

Kështu ka njoftuar Telekomi i Kosovës përmes një reagimi, duke shtuar se edhe pse ndërmarrja ka negociuar për shumë kohë me ‘Z-Mobile’ për arritjen e marrëveshjes për shlyerjen e obligimeve nuk ka mundur të arrijë asnjë marrëveshje pa ndërmjetësim dhe garanci të qeverisë. “Kushtet e Telekomit për arritjen e marrëveshjes kanë qenë që shlyerja e obligimeve të bëhet gjatë katër vjetëve të ardhshme ndërsa që qeveria është pajtuar që ky afat të ulet në dy vjet, pra kushti kryesor është negociuar dhe vendosur nga vetë qeveria. Por edhe pse qeveria ka dhënë garanci se do ta ndihmojë Telekomin që ta tejkalojë këtë situatë dhe të mos ketë ngecje në përmbushjen e kësaj marrëveshjeje deri më tash edhe përkundër insistimit tonë dhe premtimeve të saj nuk është marrë asnjë veprim. Mospërkrahja e qeverisë do të thotë që llogaritë e Telekomit mund të bllokohen përsëri qysh këtë javë, ndërsa punëtorët do të mbesin pa paga e familjet e tyre do të futen në varfëri. Kjo neglizhencë e qeverisë rrezikon edhe sigurinë kombëtare pasi rënia e shërbimeve të Telekomit rrezikon funksionimin e gjithë institucioneve të sigurisë”, thuhet në reagim.

Telekomi ka njoftuar se bordi dhe menaxhmenti janë angazhuar maksimalisht për kryerjen e obligimeve të veta duke siguruar që të ketë rritje të vazhdueshme të të hyrave dhe të krijojë stabilitet financiar megjithëkëtë pa përkrahjen e qeverisë në këto çaste kjo nuk mjafton. “Telekomi ka përfillur në vazhdimësi gjithë kërkesat e aksionarit, duke përfshirë uljen e pagave deri në 60 për qind, ka ulur të gjitha shpenzimet operative deri në masën ku nuk rrezikohen operimet tona, është në përfundim të procesit të ristrukturimit gjitha këto me qëllim të krijimit të stabilitetit në kompani. Gjithë punonjësit e Telekomit, bordi dhe menaxhmenti i bëjnë thirrje qeverisë për reagim të menjëhershëm me qëllim që të mos lejohet shkatërrimi i kompanisë, të mos rrezikohet ekzistenca e më shumë se 3 000 punëtorëve dhe familjeve të tyre dhe të mos cenohet siguria jonë kombëtare”, është theksuar në këtë reagim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ajo di gjithmonë se si të mbajë aktiv fansat në…