Devolli: Synojmë mbijetesën, por kemi ambicie edhe për Kupë

17 janar 2021 | 18:54

Drenica është një ndër klubet që ka pësuar më së shumti ndryshime në afatin kalimtar të janarit. Pikërisht për këtë arsye, kryetrajneri i kësaj skuadre, Bledar Devolli, beson që ‘kuqezinjtë’ mund të arrijnë të luftojnë edhe për trofeun e Kupës krahas ‘misionit’ të mbijetesës që i pret në pranverë.

Tekniku nga Gjirokastra ka folur për Gazetën “Sheshi” duke zbuluar planin e fazës përgatitore, ndeshjet kontrolluese, përforcimet dhe largimet te skuadra që ai drejton. “Fazën e parë të përgatitjeve e kemi përfunduar në Kosovë dhe, fatmirësisht, çdo gjë ka shkuar mirë, ani pse kushtet atmosferike nuk ishin edhe aq të mira. Ishte me rëndësi sepse kaluam pa lëndime dhe tashmë jemi akomoduar në Shqipëri, me ç’rast po vijojmë pjesën kryesore të përgatitjeve”, ka thënë Devolli.

Behar Ramadani, Eglentin Gjoni, Donald Rapo, Dionis Cikani, Dardan Rugova, Erlis Frashëri dhe Kreshnik Uka i huazuar nga Prishtina janë ardhjet e ‘kuqezinjve’ në afatin kalimtar të janarit, ndërkohë kryetrajneri Devolli paralajmëron edhe ardhje të reja, njësoj sikurse paralajmëron dhe largime. “Do të ketë të tjera përforcime sepse duam të mbulojmë çdo repart për të futur konkurrencë në ekip. Po ashtu, do të ketë edhe largime për ata që nuk kanë dhënë atë që pritej nga klubi dhe stafi”, ka shtuar 43-vjeçari.

Drenica ka zhvilluar një ndeshje miqësore deri më tani, atë me Malishevën (Të fituar 1-0), ndërkohë që planifikon t’i zhvillojë edhe katër duele të tjera. “Deri më tani kemi zhvilluar një miqësore me Malishevën dhe kemi për t’i zhvilluar edhe katër të tjera. Kemi prenotuar me Gjilanin dhe Tomorin ta zhvillojmë nga një të tillë, ndërkohë që gjatë ditëve në vijim do ta shikojmë mundësinë për të aranzhuar edhe dy ndeshje të tjera miqësore”, ka shtuar Devolli.

Objektivi kryesor i Drenicës në pranverë do të jetë sigurimi i ekzistencës, ndërkohë që pas hedhjes së shortit dhe përforcimeve të bëra “Shqiponjave të Zeza” tashmë u është shtuar apetiti.

“Objektivi ynë është ta sigurojmë mbijetesën. Por, duke parë se çfarë ekipi kemi krijuar, pa dyshim që synojmë të arrijmë sa më lart edhe në trofeun e Kupës. Shorti besoj na buzëqesh sepse duke i parë edhe çiftet e tjera, besoj që ka qenë i mirë. Gjithsesi ne kemi objektiva të kalojmë këtë tur dhe të shkojmë deri në fund, ashtu siç e tha më lart sepse klubi dhe tifozët që janë të shumtë e meritojnë këtë gjë”, ka përfunduar Devolli.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NISMA Socialdemokrate e ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë…