Është bërë pak për mbledhjen e provave për gjenocidin serb në Kosovë

16 janar 2021 | 12:12

Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, ka kritikuar institucionet e Kosovës që kanë bërë fare pak për argumentimin e gjenocidit serb në Kosovë.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në mungesë të punës të institucioneve në këtë drejtim, sot Kosova nuk ka prova të mbledhura për ta paditur Serbinë në ndonjë gjykatë ndërkombëtare për gjenocid.

“Marrë në përgjithësi, të gjitha qeveritë e deritanishme, në aspektin institucional, shumë pak ose fare nuk e kanë bërë punën që është dashur ta bëjnë për mbledhjen e provave për krimet e luftës, sidomos ato për gjenocidin serb në Kosovë”, ka thënë Salihu.

Ai ka deklaruar se institucionet e Kosovës menjëherë pas luftës është dashur ta themelojnë Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. “Institucionet e Kosovës është dashur që menjëherë pas luftës, në vjeshtën e vitit 1999 apo në vitin 2000, të formojnë organ në nivel shtetëror, i cili do të emërohej Institut për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ose Departament për Krime të Luftës. Në këtë institut do të duhej të punësoheshin njerëz profesionalë, që kanë përkushtim, ideal dhe bashkëndiejnë dhimbje me viktimat e luftës”, është shprehur Salihu, duke treguar se në çfarë kushte do të duhej të punonte ky institut. “Këtij instituti është dashur t’i krijohen kushtet optimale me ndërtesa, me infrastrukturë, me buxhet, në mënyrë që brenda 10 vjetëve, pra deri në vitin 2010, të ishin të evidentuar të gjitha krimet e luftës, e sidomos krimet e gjenocidit serb në Kosovë. Sepse në Kosovë është bërë gjenocid. Pra, gjenocidi është krimi më i rëndë në mesin e krimeve apo veprimeve penale ndërkombëtare, që është paraparë në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Parandalim dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit në vitin 19948”, ka thënë ai.

Më tej, Salihu ka treguar se Kosova me vonesë e ka themeluar këtë institut.

Sipas tij, Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë ka punuar në kushte shumë të vështira. “Në qershor të vitit 2011 është themeluar një Institut për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. Qëllimi i themelimit të këtij instituti ishte i mirë, mirëpo ne rreth një vit fare nuk kishim zyrë, sepse unë kam qenë i punësuar aty dhe një kohë kam qenë ushtrues i detyrës të drejtorit të atij instituti. Pastaj, qeveria na siguroi një ndërtesë që paguante qira rreth 900 euro”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ky institut brenda mundësive që ka pasur, ka arritur mjaft. “Ne kemi punuar afër shtatë vjet, me kushte minimale, sepse nuk na lejonin të merrnim hulumtues për terren. Na thoshin se nuk kemi mjete për këta hulumtues, të cilët do të duhej të dilnin në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje dhe në çdo shtëpi për të mbledhur dhe shënuar prova. Kështu që, neve na është dashur që me pesë veta t’i mblidhnim provat, ku arritëm t’i bënim 10 hulumtime”, është shprehur Salihu.

Ai ka kritikuar institucionet që e kanë mbyllur këtë institut. “Në mesin e vitit 2018 ai institut u mbyll dhe u shndërrua në një departament për drejtësi tranzicionale në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë”, ka deklaruar ai.

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare ka folur edhe për deklarimet e liderëve politikë për ta paditur Serbinë për gjenocid. Sipas tij, nuk mund të paditet Serbia për këtë krim pa mbledhur prova të mjaftueshme. “Deklarimet e tilla kanë qenë joserioze. Si mund ta paditësh Serbinë për gjenocid kur Gjykata Ndërkombëtare, por edhe gjykatat e tjera vendore, nuk mund ta shpallin dikë fajtor pa pasur fakte. Ku i ka Kosova ato prova për ta bindur Serbinë për gjenocid? Për ta paditur Serbinë për gjenocid është dashur të formohet një grup i ekspertëve eminentë, i cili do të punonte dy vjet për t’i mbledhur të gjitha provat, për t’i sistemuar dhe argumentuar ato dhe në bazë të asaj pastaj të ushtrohet padi ndaj Serbisë për gjenocid”, ka thënë Salihu.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit…