Mustafa: Urtësia dhe largpamësia e Rugovës na duhet edhe sot

21 janar 2021 | 11:44

Në 15-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i shoqëruar edhe nga kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë së LDK-së kanë bërë homazhe te varri i tij në Velani.

Mustafa ka thënë se Rugova me mençuri dhe guxim kishte projektuar qartë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Në janarin e acartë të vitit 2006, iku në amshim shkrimtari, studiuesi i letërsisë, lideri dhe presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova. Intelektuali, politikani i urtë dhe mendimtari i thellë me mençuri dhe guxim kishte projektuar qartë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ndërtoi themelet e shtetit tonë mbi parimet: Liri, Pavarësi dhe Demokraci. Sot, kujtojmë themeluesin e LDK-së dhe kryetarin e saj të pavdekshëm, Dr. Ibrahim Rugova”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se pesha historike e Rugovës është e rëndësisë më të veçantë, ngase sipas tij, “ai do të mbetet lideri historik që e ndërkombëtarizoi si dhe e bindi botën demokratike që të çlirohet Kosova nga okupimi serb, të themelohet shteti dhe të shpallet pavarësia”.

Lideri i LDK-së ka thënë se Rugova ishte arkitekt i shtetit dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës. “Urtësia dhe largpamësia e tij, na duhet edhe sot dhe na ndjekë gjithmonë në rrugëtimin tonë politik. LDK-ja në vazhdimësi ka shprehur zotimin e saj se do të punoj me përkushtim për zhvillimin e vendit, vizion ky i presidentit historik dr. Ibrahim Rugova. Trashëgimia politike që ai la pas është bazament i shtetit të Kosovës. Duke e zhvilluar vendin tonë, duke ruajtur miqësitë e tij që i krijoi në botë, e ruajmë këtë trashëgimi e cila është emblema më e mirë e Kosovës tonë të sotme dhe të ardhshme. Testamenti politik i Rugovës ishte ruajtja dhe kultivimi i raporteve me vendet mike dhe përkrahëse të Kosovës, në veçanti siç e thoshte presidentit shumë herë: miqësi e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se ketë miqësi LDK-ja do të vazhdoj ta ruajë dhe kultivojë më tutje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Egjipti dhe Katari kanë rënë dakord të rifillojnë marrëdhëniet diplomatike…