Këto janë dy problemet që e preokupojnë Kosovën sipas Kurtit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe sekretari për marrëdhënie me jashtë, Boiken Abazi, kanë pritur të mërkurën në takim ambasadorin e Norvegjisë, Per Strand Sjaastad, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike, përfshirë edhe Raportin e Progresit.
Kurti ka shpjeguar se dy problemet kryesore për Kosovën janë papunësia enorme dhe ndarja e qytetit të Mitrovicës.
Sipas tij, problemi i parë lidhet me korrupsionin dhe modelin e gabuar ekonomik që është zbatuar në Kosovë, ndërsa i dyti lidhet me ndërhyrjen që Serbia vazhdon të bëjë në Kosovë përmes strukturave të kontrolluara dhe financuara prej saj.
Më tutje Kurti ka shpjeguar hapat e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me vlerësimin e brendshëm të dialogut të deritanishëm me Serbinë, si dhe për nevojën e një dialogu të brendshëm e demokratik, të hapur e transparent, mes aktorëve politikë dhe shoqërisë civile në Kosovë për të arritur një konsensus lidhur me kërkesat e kushtet, synimet e kornizat e dialogut në të ardhmen.
/Epoka e re/