![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/01/143050053_761523291447089_6201057839325159327_n-850x638-1.jpg)
PSD-ja: Presidenca, nëndegë e Vetëvendosjes
Partia Socialdemokrate (PSD) ka zhvilluar të martën një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, përmes të cilit e ka shpallur Presidencën si nëndegë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Pjesë e këtij aksioni ishte edhe lideri i kësaj partie Dardan Molliqaj.
Zyrtari i PSD-së, Nol Nushi, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanit, ka kthyer veturat e presidencës në vetura të partisë.
“Zyra prapa nesh është objekti që ka shërbyer si zyre e presidencës së Republikës së Kosovës. Por kohët e fundit kjo zyrë është shndërruar në një nëndegë të Partisë Vetëvendosje. Prandaj dhe sot e përuruam zyrtarisht diçka që tashmë po dihet por s’po e thonë. Përvoja jonë si qytetar me institucione shtetërore të shndërruara në vegla të partive nuk është e mirë. Është kjo përvojë që ka rritur mosbesimin dhe pakënaqësinë qytetare. Vjosa Osmani, si u.d. e presidencës, përdori këtë detyrë që ta themelojë të ashtuquajturën Lista Guxo. Ajo guxoi që të punësojë në presidencë persona të cilët disa ditë më pas i paraqiste si ardhje të reja në listën e saj. Ajo guxoi që të shpërndajë paga shtesë për punëtorët e presidencës, veprime këto që deri vonë i quante abuzive. Veturat e presidencës janë bërë vetura të partisë”, ka thënë Nushi.
Ai ka theksuar se kemi qenë dëshmitarë se si institucionet e shtetit janë kapur më herët. “Tash jemi para një mendësie të re. Duke e pretenduar një kredo morale, Kurti po dëshiron t’i marrë krejt dhe këtu Vjosa po shërben si instrument. Në emër të ç’kapjes do të ndodhë një instalim i ri i të besuarve të liderit në pozita kyçe shtetërore. Në anën tjetër, Osmani e përshtatur në mendësinë totalitariste të Kurtit, po përdorë metodat e regjimit të vjetër siç është shantazhi dhe kërcënimi. Kjo do ta cenojë demokracinë dhe lirinë prandaj sigurisht që do të ketë edhe rezistencë”, ka deklaruar Nushi.