Kujtime nga vitet ’90 dhe nga takimi me Jevremin në Tiranë

27 janar 2021 | 12:51

Haqif Mulliqi

Nëse nuk jam mëdyshur ndonjëherë se a duhet shkruar për një personalitet, pa dyshim ai  është Jevrem Bërkoviqi, poeti më i madh malazez dhe një burrë i mirë siç do të thoshin edhe malazezët.

Me Jevremin jam takuar, së pari, në vitin 1990, kur po realizoja me të një intervistë të gjatë për revistën kroate “Fokus”, e cila ishte pjesë e “Sllobodna Dalmacija” e që botohej në Zarë. Ishte kohë e vështirë, ndërsa “era” e luftës ndihej gjithandej. Intervistën e zhvillova në Podgoricë (atëherë ende Titograd), ndërsa dy net qëndrova mysafir në shtëpinë e poetit, ku mikpritjen e tij të njohur e përplotësonin edhe bashkëshortja e tij Kaqusha dhe i biri i tij Balsha. Intelektualizmi i Jevremit ishte një det i pafund por, mbi të gjitha, më befasoi me njohuritë e tij për historinë, kulturën dhe traditën shqiptare. Gjithashtu, biseduam edhe për një dramë të tijën të cilën e kishte vënë në skenë, me insistimin e Hadi Shehut, Teatri Popullor i Gjakovës, më 1989, paçka se Komiteti i Lidhjes Komuniste kishte bërë presion që të mos ndodhte një gjë e tillë.

Për herë të dytë jemi takuar, rastësisht, në Tiranë. Ishte tetori i vitit 1991. Unë kisha shkuar, të thuash ilegalisht nga Prishtina, përmes Greqisë, ngaqë nuk ishte e lejuar që të kalohej legalisht kufiri. Atmosfera në Tiranë ishte shumë e nderë, ndërsa situata ekonomike për faqe të zezë. Unë, me një mikun tim, me të cilin kisha udhëtuar, u vendosëm në shtëpinë e një Hekuran Gashit me origjinë nga Kosova, i cili, pasi që ishte përmbysur sistemi, ishte vendosur në një aneks të shtëpisë së ish-funksionarit shqiptar, Manush Myftiu. Ato ditë takonim njerëz të ndryshëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, ndërsa Tirana i ngjante një cirku të madh panagjyri ku besoja se nuk kishte shërbim i inteligjencës që nuk vepronte, duke përfshirë këtu edhe UDB-në.

Mbaj mend se disa herë në Tiranë e kam vizituar familjen e Jusuf Gërvallës, një familje shumë e dashur për mua. Jusuf Gërvalla edhe atëherë ishte një prej figurave emblematike të lëvizjes sonë çlirimtare. Për këtë, për vizitat e mija te familja e Jusufit, Donika, e bija e tij, më dërgoi një e-letër e cila m’i shtoi emocionet dhe m’i riktheu kujtimet dhe ndjenjat për atë kohë. Gjithashtu, dy herë e kam vizituar edhe një figurë tjetër me origjinë nga Kosova i cili jetonte në Durrës. Bëhet fjalë për ish të burgosurin politik në Shqipëri, Xhafer Vokshin, vëllain e Asim Vokshit, një figurë që nuk m’u shqit më nga mendja.

Takimet në Tiranë me njerëz i bëja kryesisht tek ish-“Hotel Dajti” dhe “Hotel Tirana”. Në “Hotel Dajti” më së shumti jam shoqëruar me Haxhi Berishën që kishte ardhur nga Suedia. Haxhiu ishte me origjinë nga Prapaqani i Deçanit dhe kishte qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i Jusuf Gërvallës. U njohëm bashkë te familja e Jusufit. Ndërkohë, në selinë e Partisë Demokratike dy herë jam takuar me Sali Berishën, liderin e opozitës së atëhershme, dhe disa herë edhe me Pjetër Arbërorin. Personazh interesant për mua ishte edhe Osman Kazazi i cili një jetë të tërë e kishte kaluar nëpër burgje dhe internime, si “mbetje” e ballizmit në Shqipëri, ndërkohë që edhe P. Arbnori kishte bërë shumë burg ngaqë me disa bashkëpunëtorë kishte dashur ta themelonte një parti me orientime socialdemokrate në Shqipëri, e që ishte e ndaluar rreptësishtë.

Në dy takimet në Pallatin e Brigadave me presidentin e atëhershëm të Shqipërisë (i pari në Shqipërinë e pas komunizmit), Ramiz Alia, ishin vërtet mbresëlënëse. Me z. Alia kemi biseduar gjatë për Kosovën, për Shqipërinë dhe për rrjedhat e përgjithshme në Ballkan. Befasinë më të madhe ma shkaktoi çasti kur Ramizit i telefonoi nga Prishtina,  Mahmut Bakalli dhe biseduam nja 15 minuta bashkë. Ramizi e shfrytëzoi rastin që ta pyeste Mahmutin për mua, në stilin: “… e kam një gazetar nga Kosova këtu i cili thotë se të njeh…”. Duket se Mahmuti u shpreh pozitivisht. Takimi i dytë me R. Alinë ishte më i lehtë dhe më miqësor, paçka se edhe herën e parë ai e kishte dërguar njërin nga stafi i tij që të vinte dhe ta linte takimin.

S’do mend se jam takuar edhe me shumë artistë dhe intelektualë të tjerë shqiptarë. Disa prej tyre i kisha takuar edhe në paraqitjet e tyre nëpër Evropë. Takim interesant për mua ishte edhe ai me mikun tim Mentor Kaçin në “Hotel Tirana”. Unë isha me aktorin Minella Borovën, i cili po ashtu e njihte Mentorin. Muaj më parë ishin takuar bashkë në shtëpinë e regjisorit Ekrem Kryeziu në Prishtinë, atëherë kur edhe unë isha njohur me Minellën dhe shkrimtarin Selman Vaçari. Mentori atë ditë me avion po fluturonte për Zvicër dhe më tha se shpresonte se do ta bënte një udhëtim të mirë dhe të rëndësishëm.

As në mendje nuk më kishte shkuar se një prej takimeve më interesante të atij qëndrimi njëmuajsh në Tiranë, do të më ndodhte me një shkrimtar malazez.

Me spikerin televiziv, Kiço Fotiadhin, me të cilin isha njohur disa ditë më parë në Stacionin e Autobusëve në Durrës, po pinim kafe në një kafeteri, që ishte pjesë integrale e “Hotel Tiranës”, prej së cilës nuk mund të futeshe brenda hotelit. Ajo kafeteri hyrjen e kishte andej nga Muzeu Kombëtar dhe aty, në kohën e diktaturës, kishin të drejtë të pinin kafe shtetasit shqiptarë. Pasi që bëmë pak kohë aty, dhe i pimë nga dy ekspreso, me Kiçon u ngritëm dhe dolëm te shkallët e hyrjes së kafeterisë. Në atë çast dikush nga një distancë jo aq e madhe, nga pas, më ka thërritur me një bariton të thellë:  “Hej, Mulliqi!”

Theksi ishte disi i rëndë dhe i pazakonshëm. U befasova. Kur u ktheva pashë se po më thërriste një burrë i gjatë, të thuash dy metra. Ishte shkrimtari i njohur Jevrem Bërkoviq. M’u duk se ishte i gëzuar që po më takonte. U afrova tek ai. Më mori ngryk: “Po më bëhet qejfi që po të takoj”, më tha. “Kush do të thoshte para një viti se do të takoja këtu?”

“Edhe mua, Jevrem”, i thashë. “Do të thotë se ke ardhur për festën e 60-vjetorit të lindjes së Dritëro Agollit?”, e pyeta ngaqë atë natë, në ambientin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, shënohej kjo datë e organizuar për nder të poetit të njohur, ndërsa për të marrë pjesë në atë mbrëmje ftesën e kisha edhe unë.

“Jo”, më tha Jevremi, por “ai ‘prapanica’, Bullatoviqi, deshi të më likuidonte”.

“Mos më thuaj!”

“Po, po. Ishte fat dhe çudi si shpëtova”, ma ktheu, ndërsa shqetësimi nuk i hiqej nga fytyra.

“A dëshiron të pishë kafe me mua?”, e pyeta, duke vendosur që të mos shkoja fare në manifestimin për Dritëroin, gjë që më mërziti pak.

“Po”, ma ktheu.

Atëherë vazhduam te hyrja kryesore e hotelit, ku Jevremi edhe ishte i vendosur nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. U ulëm për të pirë kafe në një tavernë shumë të mirë, në bodrum, nën recepcion, ku vendësit deri para pak muajsh e kishin pasur të ndaluar të uleshin për të pirë qoftë edhe një kafe.

Një kohë të gjatë Jevremi heshti. Heshta edhe unë. Pastaj, gati papritur, nisi rrëfimin e tij dramatik: “Pardje po qëndroja në shtëpi në një pasdreke të vonë. Disa prej njerëzve që më respektojnë, nga Ministria e Brendshme e Malit të Zi, më dërguan njeriun i cili më paralajmëroi se Policia Speciale do të vinte të më arrestonte. Kishte gjasë të më vrisnin, dhe ta shpallnin se i kisha rezistuar arrestimit, duke qëlluar me armë mbi policë. Unë, shpejt e shpejt, mora veç pak gjëra me vete, dhe me një mik dola nga Podgorica. Shqetësimi im ishte i madh ngaqë në shtëpi i lashë gruan dhe djalin.

Pas më pak se dy orësh me mikun tim kemi mbërritur në Tivar. Ata, miqtë e mi, më dorëzuan te një shqiptar i cili më vendosi në hotelin e vet. Por, nga agjentë të UDB-së ishte dekonspiruar qëndrimi aty, pasi që nuk shkuan as tri a katër orë dhe nisi bastisja e hotelit nga policia. E kontrollonin hotelin dhomë për dhomë. Unë gjendesha në dhomën e fundit të katit të fundit. Kur e dëgjova zërin e policëve, thjesht nxora revolen dhe e drejtova nga dera e dhomës. Mendova: gjallë nuk dorëzohem. Por, shih çudinë, dy policët që ishin te dera e dhomës ku gjendesha unë, një shqiptar dhe një boshnjak ndalojnë para dere. Mbase, duke besuar se pikërisht unë mund të isha aty, meqë ishte dhoma e fundit e pabastisur e hotelit, u kthyen nga eprori i tyre dhe me zë të lartë, që të dëgjoja edhe unë, i thanë: ‘As këtu nuk është askush’.

Menjëherë, pasi u tërhoq policia, erdhën disa shqiptarë të Krajës dhe më morën me vete. Në Krajë kemi arritur pasi ka aguar. Derisa po ecnim, ata heshtnin ndërsa, unë në vazhdimësi flisja, pandërprerë. Kur ramë në një lugshtajë dhe morëm rrugën përpjetë, i pyeta shoqëruesit e mi: ‘A kemi shumë udhë për të bërë për t’u futur në Shqipëri. Ata më thanë: ‘Që nga ajo lugështaja, tashmë jemi futur në Shqipëri’.

Ky ishte ai çasti kur më mbuluan djersët të cilat ballit më lëshoheshin sumbulla-sumbulla. Tashmë ishte mëngjes. Para nesh ishte një arë me misër të cilën po e korrnin disa gra. Unë nga gëzimi nuk u përmbajta, dhe vrapova drejt grave, i përqafova të gjitha si t’i kisha të familjes”.

Pasi arrin në Tiranë, Jevrem Bërkoviqi shkon te Lidhja e Shkrimtarëve. Aty takohet me Bardhyl London i cili, me shpenzime të shoqatës, e vendos atë në hotel, në katin e nëntë.

Ditët në vijim i kam kaluar në shoqërim me Jevremin. Jo rrallë me ne ishte edhe poeti nga Strellci i Deçanit, Adem Istrefi. Edhe pse kishte ikur nga Kosova në fund të viteve ’50, i kishte mbajtur mend disa fjalë serbisht.

Një ditë, kur po drekoja me Bërkoviqin dhe Ademin në “Hotel Tirana”, tek tavolina na u qas poeti shumë i dashur, Xhevahir Spahiu. Ai ishte me një burrë tjetër që nuk e njihja. Ademi na prezantoi. Bëhej fjalë për shkrimtarin e dëgjuar Nasi Lera, i cili na ftoi për darkë në konakun e tij atë natë.

Diku në orën 7.00 të darkës ne arritëm te apartamenti i Nasit. Në fakt, kësaj dite Jevremi ishte më mirë, ngaqë kur shkuam te Lidhja e Shkrimtarëve ai për herë të parë u lidh me telefon, me Kaqën, gruan e tij, e cila i tregoi se ajo dhe Balsha ishin mirë dhe se nuk kishin pësuar asnjë të keqe.

Darka te Nasi Lera ishte e këndshme. Nasin e kisha lexuar më pak, por Xhevahirit i thashë se poezitë e tij më pëlqenin shumë. Pastaj, më kishte marrë malli për ushqim shtëpie të cilin e kishte gatuar zonja e Nasit. Bisedat nuk reshtnin. Jevremit nuk i pushonte goja, ndërsa unë detyrohesha të përktheja. E urrente pafund nacionalizmin dhe hegjemonizmin serb. Për një çast, Xhevahiri e ndërpreu dhe i tha: “Jevrem, kur të pavarësohet Mali i Zi, a do të vishë ambasador në Tiranë?”

Jevremi qeshi. Të gjithë qeshëm.

Pas kësaj unë kalova në kuzhinë me Jevremin dhe e zhvillova një bisedë të gjatë. Ai fliste për Millosheviqin si për një kriminel të madh, për serbët si popull që nuk lënë asgjë pa bërë për t’i sendërtuar qëllimet e tyre, por edhe për rezistencën politike në Kosovë. Jevremi mendonte se lufta në Kosovë mund të plaste shpejt ngaqë dhuna e regjimit serb ishte e tmerrshme.

“Serbët janë popull fatkeq”, më tha Jevremi. “Ata janë popull që qeverisen nga të tjerët. Shihe, Millosheviqi është malazez. kryeministrin Bozhoviq e kanë, po ashtu, malazez. Kryetarin e parlamentit, Bakoçeviqin, malazez. Shesheli është kroat, Drashkoviqi nga Hercegovina… Të huajt, pra, i udhëheqin serbët si të ishin bagëti”.

Pastaj ai më foli për polifoninë e Dalmacisë, të Bokës së Kotorrit e sidomos për atë të Shqipërisë së Jugut.

Te Nasi qëndruam bukur do kohë, pastaj me Ademin e shoqëruam Jevremin deri te hoteli.

Të pasnesërmen unë udhëtoja për në Itali, ndërsa destinacion të fundit kisha Brukselin, ku duhej të takohesha me Reshat Sahitajn. Jevremi udhëtonte një ditë pas, me aeroplan për në Budapest.

“A do të kërkosh azil në Hungari apo në ndonjë shtet të Bashkimit Evropian?”, e pyeta.

“Jo, jo”, ma ktheu ai. “Nga Budapesti do të udhëtoj për në Slloveni, me aeroplan, e më pas do të vendosem në Zagreb, ngase aty do të jem më i sigurt dhe i mirëpritur nga qeveria kroate… Në fund të fundit, unë jam komandant i Gardës së Cetinës dhe, kur ta fillojmë luftën kundër Serbisë, do të më duhet të kthehem në Mal të Zi dhe të dal në ballë të popullit”.

Jevremi, në këtë çast, e përdrodhi bastunin që nuk e hiqte nga dora dhe ma tregoi shpatën që ndodhej brenda tij.

U ndamë me Jevremin miqësisht. Derisa u ndamë, më tha: “Të kam mik përjetë!”

Më mori ngryk. Mërzia u fut në mes.

Pas kësaj, për Jevremin kam dëgjuar tek në vitin 1994 kur e kishte botuar një libër për peripecitë e tij, e në kuadër të të cilit më përmend edhe mua dhe shoqërimin tonë: “Gazetari i ‘Rilindjes’, Haqif Mulliqi, i cili po qëndronte në Tiranë, ilegalisht, më ka shoqëruar gjatë gjithë kohës. Ai më paguante ‘Ujë Gline’ i cili më pëlqente shumë” kishte shkruar në libër Jevremi.

Në fakt, në atë kohë unë kryesisht shkruaja për “Zëri”-n. Intervistën e lexoi Blerim Shala. i pëlqeu shumë. Intervista pati një jehonë të madhe te lexuesit, ngaqë Bërkoviqi ishte një intelektual i formatit evropian dhe ishte e rëndësishme ajo që e thoshte.

Jevrem Bërkoviqi në Kroaci jetoi deri në kohën e rënies nga pushteti i Miodrag Bullatoviqit, ndërsa unë, kur u ktheva nga Brukseli, u zhyta sërish në terrin e robërisë! /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, është infektuar me Covid-19. Mësohet se…