IKShPK-ja ripërsërit kërkesën për respektimin e masave anti-Covid

27 janar 2021 | 15:21

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka vlerësuar se numri i rasteve pozitive me Covid-19 është duke vazhduar të jetë i lartë.

Ky numër sipas IKShPK-së është mbetur i lartë për shkak të neglizhimit të masave anti-Covid.

“Duke pasur parasysh vlerësimin e situatës aktuale epidemiologjike me Covid-19, këtë muaj është raportuar numër më i madh të rasteve pozitive dhe vdekjeve. Mjekët të stërngakuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore. Numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosë si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave”, ka njoftuar IKShPK-ja.

Me këtë rast, IKShPK-ja ka përsëritur thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19.

“IKShPK-ja apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit Covid-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19”.

“Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë. Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës”, ka njoftuar IKShPK-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Shoqatës së transportit rrugor të udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj,…