KMDLNj-ja, partive politike: Lëreni anash gjuhën e urrejtjes

02 shkurt 2021 | 12:28

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar nga partitë politike që të krijohen kushtet e barabarta për fushatë, si për kandidatë ashtu edhe për parti politike.

“Lëreni anash gjuhën e urrejtjes dhe krijoni kushte për fushatë jodiskriminuese sikur edhe zgjedhje të rregullta. Lërini folklorin dhe lejoni që votuesi, me votën e vet ta dënojë apo ta përkrahë një kandidat të preferuar apo subjekt të caktuar politik. Çdo veprim tjetër është dhunë dhe presion e që duhet të refuzohet nga të gjithë”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Reagimi i plotë i KMDLNj-së:

Ndonëse zyrtarisht ende nuk ka filluar fushata zgjedhore, kandidatë të subjekteve politike sikur edhe partitë politike të certifikuara për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, me të madhe po bëjnë fushatë duke u përqendruar në vendet ku kanë më shumë votues sikur edhe në vende ku kërkojnë vota të reja. Fjalori i përdorur deri më tani është përafërsisht në kufijtë e së lejuarës, nuk ka premtime të forta për liberalizim të vizave apo integrime në BE, NATO, etj.

Deri më tani nuk kemi parë asnjë program të qartë që, në përputhje me situatën politike dhe mundësitë ekonomike do të mund të realizohej. Gjatë parafushatës zgjedhore, KMDLNj nuk ka vërejtur ndonjë rast që kandidati apo subjekti politik është penguar për të takuar votuesit e mundshëm apo qytetarët tjerë që kanë shfaqur interesim për të marrë pjesë në këto takime. Vërejtja kryesore e KMDLNj –së, në këtë fazë është mungesa totale e respektimit të kushteve anti-Covid e që është përcaktuar nga institucionet kompetente shëndetësore dhe shtetërore të Kosovës sikur që janë: vendosja e maskave mbrojtëse, mbajtja e distancës sociale sikur edhe grumbullimi i shumë njerëzve në hapësira të ngushta dhe të papërshtatshme.

Në këtë kontekst autoritetet duhet të jenë shumë në të rrepta në shqiptimin e masave ndëshkuese për të gjithë shkelësit, pa bërë asnjë përjashtim dhe pa zbatuar standarde të dyfishta. Ditë më parë, kryetari i LV-së dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me Vjosa Osmanin, u.d. e presidentes së Kosovës vizituan Mitrovicën, përkatësisht pjesën që nuk është nën kontrollë të plotë të autoriteteve kosovare, si pjesë e fushatës.

Pas kësaj, një grup i serbëve penguan vazhdimin e fushatës duke i fyer të gjithë të pranishmit, shqiptarët në përgjithësi sikur edhe duke brohoritur: “Ovo je Serbia – Këtu është Serbi “pas së cilës, nën mbrojtje të policisë u tërhoqën nga aktivitetet dhe u kthyen prapa. Reagimet e subjekteve politike ishin kryesisht të natyrës folklorike kurse reagimet e Listës Serbe dhe të Aleksandër Vuçiqit ishin krejtësisht të njëjta.

Më datë 1 shkurt 2021, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani vizituan Skenderajn dhe disa lokacione për të takuar simpatizantët dhe votuesit sikur kandidatët e tjerë dhe subjektet politike. Gjatë kësaj vizite hasën në kundërshtim duke brohoritur parulla: “UÇK, UÇK” dhe “Hashim Thaçi, Hashim Thaçi”.

Më pastaj, Albin Kurti u gjuajt me vezë dhe u pengua të vazhdojë aktivitetin partiak sikur që në mbështetje të Forcave Speciale të Policisë së Kosovës u largua..Edhe pas kësaj vizite pati reagime që nuk kontribuojnë në krijimin e kushteve të barabarta për fushatë për të gjithë garuesit.

Për KMDLNj, pengimi i Albin Kurtit dhe ekipit të tij për të bërë fushatë është shkelje e të drejtave të njeriut që i garantohen me ligj prandaj kërkon respektimin e kësaj të drejteje , në rastin konkret për Albin Kurtin sikur edhe për të gjithë ata që e kanë këtë të drejtë.

KMDLNj ua përkujton të gjithëve se vlerësimin për shkallën e rrezikut në Kosovë apo në një pjesë të saj e bëjnë institucionet e specializuara të sigurisë, që nxjerrin vendime kurse Policia e Kosovës i zbaton ato vendime. Edhe në rastin e Mitrovicës si dhe të Skenderajt, veprimet e Policisë së Kosovës janë në përputhje të plotë me ligjin. Në këtë kontekst, për KMDLNj–së është krejtësisht i papranueshëm krahasimi i Policisë së Kosovës me Policinë e Serbisë, kontekstit të tashëm kohor me atë të viteve të 98–ta si dhe krahasimin e Albin Kurtit me politikanët e Serbisë.

Së pari, Policia e Kosovës , duke zbatuar ligjin është në mbrojtje të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa bërë dallime kurse Policia e Serbisë e ka pasur dhe e ka një qëllim krejt tjetër, në kohën e luftës vranin dhe masakronin civilë të pafajshëm kurse tani angazhohen për destabilizim të situatës në Kosovë.

Dhe, krejt në fund në vitet e 98–ta, politikanët nga Serbia planifikonin dhe urdhëronin krime ndaj civilëve kurse tani i arsyetojnë ato krime sikur që bëjnë të çdo gjë ta shkatërrojnë shtetin e Kosovës. Është krejtësisht e pamoralshme që ta vëni Albin Kurtin në të njëjtin rrafsh me politikanët e Serbisë aq më parë që edhe vet ka qenë i keqtrajtuar nga ata politikanë dhe Policia e Serbisë.

Lëreni anash gjuhën e urrejtjes dhe krijoni kushte për fushatë jodiskriminuese sikur edhe zgjedhje të rregullta. Lërini folklorin dhe lejoni që votuesi, me votën e vet ta dënojë apo ta përkrahë një kandidat të preferuar apo subjekt të caktuar politik. Çdo veprim tjetër është dhunë dhe presion e që duhet të refuzohet nga të gjithë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Paris Saint-Germain, Mauricio Pochettino, beson që Kylian Mbappe…