Lakersat marrin fitoren e pestë rresht, nuk ndalen as Bucks

09 shkurt 2021 | 14:13

Los Angeles Lakers mundi skuadrën e Oklahoma City Thunderit për t’u rikthyer të vetëm në vendin e dytë të Konferencës së Perëndimit. Një fitore tepër e vështirë, e siguruar vetëm pas kohës shtesë, që i barazon kampionët në fuqi për nga numri i fitoreve me ekipin e Utah Jazzit. Franchise nga “Salt Lake City” e ka ngritur stekën vërtet shumë lart, duke fituar 15 nga 16 sfidat e fundit, për t’i shtrënguar në këtë mënyrë dy ekipet nga Los Angelesi që ta shtojnë ritmin.

Një rivalitet i fortë, në një pjesë të rëndësishme të sezonit të rregullt, kur skuadrat kanë hyrë prej shumë ditësh në çerekun e dytë të këtij edicioni të 75, për sa i përket sezonit të rregullt. Mbi të gjitha, kalendari sa vjen e ngjeshët dhe pasojat duken qartë edhe te vetë ekipi i drejtuar nga trajneri Frank Vogel, që siguroi fitoren e dytë radhazi pas kohës shtesë.

Për “liqenorët” ky është suksesi i pestë rresht, në këtë pjesë të sezonit dhe i treti radhazi në shtëpi. Kështu, pasi mundi të premten Denver Nuggetsin, Lakersi mposhti të dielën në mbrëmje në kohën shtesë 135-129 Detroit Pistonsi. Radhën për të vizituar në Staples Center kampionët në fuqi e patën basketbollistët e Oklahomas, të cilët u paraqitën në Kaliforni me bilancin negativ, 10 fitore në 21 ndeshjet e deritanishme të sezonit të rregullt. City Thunderi pozicionohet vetëm në vendin e tretë nga fundi në Konferencën e Perëndimit, megjithatë duke lënë mënjanë dy goditjet e sakta të Lakersat në çastet e para të takimit nga vija e gjuajtjeve të lira skuadra e Oklahomas dominoi në rezultat përgjatë gjithë pjesës së parë, duke u shkëputur madje deri në +11, me shifrat 33-22.

Në interval miqtë shkuan me epërsinë 60-56, ndërsa avantazhin e parë që nga starti i ndeshjes Lakersat e morën në fillimin e periodës së tretë. Kampionët në fuqi krijuan madje edhe një diferencë prej 7-pikësh me Thunderin, por gjithsesi skuadra e Oklahomas reagoi shpejt për të fluturuar në startin e periodës së fundit sërish në epërsinë e 11 pikëve, 90-79. Me shumë mundim vendësit ia dolën mban për të rikuperuar, sidoqoftë 1,2” para fundit 22-vjeçari kanadez Shai Gilgeous – Alexander barazoi rezultatin nga vija e gjuajtjeve të lira në 110-110, për të shtyrë gjithçka për në kohën shtesë. Në kohën shtesë, Lakersat kaluan shpejt përpara, megjithatë ishte një 5’ tepër i shtrënguar, ku dominuan përgjithësisht mbrojtjet. Në 2’ e para u shënua vetëm një kosh nga ekipi i Frank Vogel, megjithëse për hir të së vërtetës në krahun tjetër skuadra e Oklahomas e mbylli gjithë kohën shtesë me vetëm 2 pikë gjithsej. Lakersat fituan 9-2 në kohën shtesë dhe falë suksesit 119-112 regjistruan fitoren e 19 në 25 ndeshjet e zhvilluara deri tani.

Në konferencën e Perëndimit edhe Utah për momentin ka 19 fitore, por gjithsesi Jazzi kryeson me një përqindje më të mirë, për shkak se kanë pësuar një humbje më pak sesa Lakersit. Mbreti Jamesi e mbylli mbrëmjen përsëri me triple-double. LeBron e përfundoi takimin me 28 pikë, 14 topa të rikuperuar dhe 12 asistime, ndërkohë pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes ishte 22-vjeçari nga Ontario Gilgeous – Alexander me 29 pikë, sidoqoftë basketbollisti nga Toronto regjistroi gjithashtu edhe 7 rebounde e 10 asistime. Ekipi i vetëm që nuk njeh humbje në 5 sfidat e fundit është Milwaukee. Në Colorado, në Ball Arena të Denverit Bucks e morën kryesimin në periodën e tretë, kur basketbollistët e franchiset nga Wisconsin shënuan plot 15 pikë radhazi.

Në vazhdim ekipi i drejtuar nga trajneri Mike Budenholzer u shkëput përfundimisht, për të fituar gjithë takimin me shifrat 125-112, ndeshje ku më i miri për miqtë ishte i zakonshmi Giannis Antetokounmpo me 30 pikë e 9 rebounde, në diçka më shumë se 34’ lojë, ndërsa te Nuggetsi spikati sërish kapiteni Nikola Jokiqi me 35 pikë e 12 topa të rekuperuar. Suksesi i pestë rresht i mban Bucksit në vendin e dytë në Lindje, me 16 fitore e 8 humbje, thjesht një fitore më pak sesa Philadelphia 76ers, që kryesojnë prej kohësh në këtë konferencë.

Luka Donqiq realizoi 26 pikë për të ndihmuar Dallas Mavericksit në “American Airlines Center” përpara 1 000 spektatorëve, në fitoren 127-122 ndaj Minnesota Timberwolves dhe ylli slloven tani e sheh veten vetëm 2 ndeshje larg rekordit të franchiset teksan, teksa ka shënuar minimalisht 25 pikë në 11 ndeshjet e fundit të Mavsit. Figurë të mirë bëri edhe ekipi tjetër teksan i San Antonio Spursit, që në “AT&T Center” përmbysi disavantazhin e plot 14 pikëve për të mposhtur 105-100 skuadrën e Golden State Warriorsit, duke eklipsuar në njëfarë mënyre edhe lojën shumë të mirë të organizatorit të miqve Steph Curry, që realizoi 32 pikë në 36’ që qëndroi gjithsej në parket. /SS/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), ka…