Evoluim, populizëm apo përllogaritje

12 shkurt 2021 | 18:53

Bislim ELSHANI

Duke vrarë mendjen se cili ishte qëllimi i Shpend Ahmetit mbrëmë para panelit të TV7-shit me Berat Buzhalën në krye: ta diskreditojë ish-bashkë-aktivistin dhe bashkë-partiakun e dikurshëm apo t’i japë një dorë ndihme, pakë si duke e therrur e pak si duke e lëmuar, m’u desh të nxirrja sidoqoftë disa përfundime për vete, përpara se të hedh votën dy ditë më pas. Dhe jo se erdha në ndonjë përfundim të qartë.

Ajo që qe një zbulim i hidhur për mua ishte fakti se me ç’literaturë e kishte parë Shpend Ahmeti ish-kolegun e tij partiak në dorë viteve kur kanë qenë bashkë: me broshurën leniniste: “Ç’të bëjmë?” Kjo qe një karikaturë e vërtetë politiko-ideologjike e Albinit në kundërshtim të plotë me përfytyrimin tim për të. Madje nuk do të mund ta përfytyroja me një broshurë të tillë në dorë as ish-aktivistin e ilegales së majtë kosovare të vitit 81, Hydajet Hysenin. Lufta e ftohtë ka përfunduar qëmoti bashkë me iluzionet ideologjike të solidaritetit klasor proletar mbarëbotëror. Ky fakt më pati habitur, ashtu si fakti që Hashim Thaqi s’kishte mbajtur në dorë ndonjë libër tjetër pos “Prijësit” të Makiavelit, i cili ofronte udhëzime për sjelljen politike të prijësave feudalë. Duke pasur parasysh realitetin fedo-fisnor kosovar, ndoshta Makiaveli edhe mund të honepsej. Por Lenini kurrsesi, me gjithë komentet provokative, gjysmë cinike e gjysmë sarkastike të Slavoj Zhizhekut për të e për Stalinin. Kam menduar se si Hashimi, ashtu edhe Albini, duhej të merreshin me autorë si Arendt, Habermas e Brzezinski, dhe jo me utopi të dështuara politike e ideologjike. Të shpresojmë se broshura të tilla ideologjike, lexues i të cilave kam qenë edhe vetë dikur, madje tejet i zellshëm, i përkasin të kaluarës.

Mirëpo nuk pajtohem në një pikë me Shpend Ahmetin: mos-evoluimin politik të Albinit. Jam i prirur të besoj, në bazë të disa indikacioneve, se Albini ka hequr dorë nga paragjykimet ideologjike, ashtu si dhe nga lufta për bashkim kombëtar, së paku në rrethanat e tanishme, dhe ndoshta pikërisht ky fakt, përpos pragmatizmit populist të sjelljes elektorale, mund ta ketë shtyrë të përkulej para varrit të Rugovës.

Mirëpo a mund të ketë ndonjë të vërtetë në portretin e Shpend Ahmetit për Albinin? Janë dy indikacione që më shtyjnë të mendoj se Albini nuk ka hequr dorë tërësisht nga ëndrrat ideologjike autoritariste. Indikacioni i fundit është ai që Albini nuk e pa të arsyeshme të distancohej nga “mbrojtja” toksike që i ofroi Slavoj Zhizheku. Çfarëdo solidariteti nga e majta do të ishte i dëmshëm sot për të, sepse do të shkaktonte huti tek të tjerët për synimet e tij të njëmendëta. Ndoshta do ta nxiste edhe ndonjë ftesë për bisedë sqaruese nga ndonjë diplomat amerikan. Jo që majtizmi apo autoritarizmi i majtë i Albinit do të kishte ndonjë shans apo terren të favorshëm për eksperimente utopike në Kosovë, por kjo mund të shërbente si një justifikim ose pretekst ideal, që diplomacia gjermane, franceze dhe amerikane të ngrinte duart prej nesh dhe të plotësonin ndonjë kërkesë serbe, më së paku për ndonjë cungim territorial dhe më së shumti për ndonjë mbikëqyrje apo tutorizëm të mundshëm ndaj Kosovës, e cila nuk i mbaka dot vetë nën kontroll as prirjet autoritariste, as ekstremizmat fetarë. Sigurisht që kjo do të ishte një sjellje cinike, mirëpo gjermanët na e kanë dëshmuar se mund të kenë edhe sjellje të tilla ndaj nesh. Rasti i fundit është burgosja e ish-drejtuesve të UÇK-së, nën akuza që komprometojnë gjithë rezistencën tonë për liri e pavarësi. Fuqitë e mëdha e kanë edhe këtë aftësi dhe gatishmëri me natyrë cinike, që të të shtyjnë vetë drejt gabimit, me qëllim që këtë gabim ta shfrytëzojnë më pas për interesat e tyre. Kështu që faktorit politik kosovar i duhet të ketë gjithmonë edhe opsionin rezervë për të mos rënë pre e ndonjë makinacioni, por pa rrezikuar ftohjen me aleatët strategjikë dhe duke u përpjekur gjithmonë për ndikime konstruktive tek ta, sidomos për t’i zhdukur dyshimet për nevojën e ndonjë tutori rajonal për të mbajtur nën kontroll një popullatë të dyshuar për rrëshqitje të mundshme drejt ndonjë ekstremizmi.
Pat thënë dikush se drejtimi i një lundre është më i kollajshëm se sa i një anije të madhe, sepse mund ta kthesh më shpejt në drejtimin e kundërt. Mirëpo harrohet edhe se rreziku i përmbysjes është shumëfish më i madh.

Rasti tjetër ka të bëjë me një ngjarje të 8 viteve më parë. Gjersa po lexoja novelën “Fajtorja e pafajshme” të profesorit dhe aktivistit të majtë gjerman, Maks Brym, mik dhe mbështetës i deklaruar i VV-së, më habitën faqet e fundit të veprës, ku flitej për një solidaritet klasor shqiptaro-serb e për teorinë e revolucionit permanent të Trockit. Duke kujtuar sjelljen e punëtorëve serbë kundrejt grevës së vitit 1989 të kolegëve të tyre të klasës, minatorëve të Trepçës, dhe vrerin shovinist që derdhnin mbi ta, qesh bindur se s’ka solidaritet klasor, ka vetëm interesa nacionalë dhe luftë nacionale për mbijetesë e për zhvillim. Kështu që novela e Brymit më kujtonte romanet e realizmit socialist.

Nuk e besoja se ide të tilla mund të frymëzonin apo të kishin ndikim tek drejtuesit e VV-së, prandaj vrapova në selinë e tyre për t’i sinjalizuar për përmbajtjen e novelës, dhe ndoshta për ndonjë distancim të mundshëm publik prej saj, sepse po i paraqiste në dritë të shtrembër. Çuditërisht, shqetësimi im, ndonëse atëbotë isha simpatizant i hapur i VV-së, nuk pati ndonjë jehonë. Dukej sikur VV-istët pajtoheshin plotësisht me ato çfarë kishte shkruajtur z. Brym.

Max Brymi është një mik i imi, por një mik akoma më i ngushtë i një eksponenti të zëshëm të VV. Kosova i ka shumë borxh z. Brym, sepse askush si ai nuk ka mbrojtur Kosovën dhe rrugën e saj drejt çlirimit dhe pavarësisë, si dhe nuk ka demaskuar platformat revizioniste anti-shqiptare sidomos të së majtës gjermane e evropiane. Ne shqiptarëve na duhen edhe miq të tillë të majtë. Mirëpo duhet pasur kujdes se deri ku mund të shtrihet kjo miqësi. E tha edhe I. Kelmendi në një postim në FB, se Kosova nuk mund të shërbejë si parcelë eksperimentale për projekte utopike ideologjike me peshë globale. Sepse çmimi që mund të paguajmë mund të jetë shumë i lartë. Ka mjaft hapësira të tjera të gjera planeti ynë për eksperimente të tilla.
Si përfundim, sa mund t’i besohet sot Albinit për t’ia hedhur votën për të ardhur në pushtet? Sipas të gjitha sondazheve, ai e ka fitoren të sigurt, dhe votimi im pro apo kundër tij s’mund të luajë ndonjë rol. Do të doja të besoja, që mospërmendja prej tij e emrit të Ukshin Hotit gjatë fushatës elektorale është një sjellje taktike dhe jo një përcaktim strategjik. Ukshin Hoti në shumë nga esetë e tij, po sidomos në mbrojtjen para gjyqit serb dhe në “Viti 81 dhe proceset e demokracisë”, e ka përcaktuar veten si përfaqësues dhe njëkohësisht katalizator të vetëdijësimit politik drejt demokracisë të gjeneratës së të rinjve të vitit 81. Ai e shquante këtë gjeneratë si më të pastër moralisht dhe më të gatshme për sakrifica, përkatësisht, si një gjeneratë që e donte Kosovën pa ndonjë interes të ulët grabitjeje e pasurimi. Ndërkaq, Albin Kurti, me gjithë përpjekjen për t’u paraqitur si hotist, në krye të punëve në partinë e tij gjithmonë ka favorizuar ish-establishmentin titist përpara gjeneratës bartëse të pranverës 81 e të proceseve drejt pavarësisë e demokracisë. Kjo gjë vërehet edhe në përpilimin e listës së tanishme të kandidatëve për deputet. Këtë dyshim kam pasur edhe në rastin vetjak në zgjedhjet nacionale të vitit 2013, kur nga kreu i VV gjithmonë parapëlqehej një i tillë përpara meje në zonën ku kandidoja. Favorizimi i z. Abazi e z. Reka në zgjedhjet e fundit, përpara individëve të tillë, simbole të rezistencës e të luftës, si Hyseni e Xhemajli, ma përforcuan akoma më shumë këtë bindje. Kjo sjellje nuk dallonte shumë nga sjellja e Anton Kolës e të kreut LDK-ist në vitet 90 kur bënin spastrimin e listave të veta nga ish-të burgosurit, nën akuzën tinëzare se do t’ua merrnin kalanë nga brenda. Entuziazmi i znj. Gërvalla dhe i znj. Osmani për bashkëpunimin e tanishëm me Albinin ma përforcuan akoma më shumë këtë bindje. Për të mos e përmendur edhe flirtin politik të VV me opozitën e sotme në Shqipëri, konkretisht me dyshen destruktive Berisha-Meta, që aq shpesh deshi dhe do t’i vërë flakën Shqipërisë për interesa të ulëta. Eshtë e vërtetë që ata që e drejtuan deri më sot Kosovën meritojnë ndëshkimin, por kush do t’i zëvendësojë? Kështu që shtrohet pyetje, a mos do të bien kosovarët edhe me Albinin në pozitën që sugjeron fraza e njohur: Le roi est mort, vive le roi!?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me kërkesën e Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës,…