![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2017/12/milaim-zeka.jpg)
LDK-ja mori atë që meritoi, PDK-ja të shërohet nga koronaviruset brenda saj
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se LDK-ja në këto zgjedhje e mori atë që moti e ka merituar, ndërkaq për PDK-në ka theksuar se kjo parti duhet të shërohet nga koronaviruset brenda saj.
Zeka ka thënë se deputetët e partive politike duhet ta dëgjojnë zërin e shumicës qytetare, dhe, sipas tij, në këtë mënyrë duhet ta votojnë mandatarin për qeverinë e re.
Postimi i plotë i tij:
Dy ngjarje me rendësi për Kosovën!
E para, fitorja e LVV dhe Vjosa Osmanit, LDK-ja e mori atë që moti e ka merituar, dhe…. E dyta, shkuarja e PDK-së në opozitë për herë të dytë. Kjo parti duhet të shërohet nga koronaviruset brenda saj, pasi që votuesin e vet e ka përdorur jo si vlerë, jo si aktivist, por tamam si sakëz, me përdorim të njëhershëm parazgjedhor. Përtype e gjuaje! Deputetët e partive politike, duhet ta dëgjojnë zërin e shumicës qytetare, dhe në këtë mënyrë duhet për ta votuar mandatarin për qeverinë e re. Nuk duhet dëgjuar asnjë zë për bojkotim, apo sabotim. Kosova është gjysmë shtet, e ka nevojë mu ba shtet përnime. Kosova ka shumë sfida të rënda përpara vetes, të cilat duhet për t’i kaluar. Nuk bënë për t’ia dhënë shansin Vuqiçit e me thanë nëpër botë: që, a ju kemi thanë, shqiptarët nuk dinë me ba shtet.
Mos harroni të nderuar qytetarë se garat zgjedhore janë sikurse një ndeshje futbolli. Të gjithë hyjmë me shpresat e fitores të ekipës tonë. Edhe shajmë. Edhe përlahemi. Ama prapë dalim bashkë, ashtu siç edhe kemi hyrë, nga të njëjtat dyer!
Urime të gjithëve për zgjedhje të qeta!
Urime fituesve!