A KA TË NGJASHME MES OPOZITËS NË SHQIPËRI DHE LËVIZJES VV NË KOSOVË?

16 shkurt 2021 | 21:23

Shkruan: Bedri Islami

Ka një entuziasëm të ngutshëm te opozita në Shqipëri për të gjetur veten në fitoren, thuaj pleebishitare, të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në Kosovë. Ndërlidhja, e asaj që ndodhi me 14 shkurt në Prishtinë dhe çfarë do të mund të ndodhë me 25 prill në Tiranë, po merr përmasa fantaziste, të cilat, edhe pse mund t’u duket se do të jenë vazhdim i njëra tjetrës, më shumë se gjithçka tjetër, do të dëmtojë vetë ata.
Është e vërtetzë se Albin Kurti e, sidomos Vjosa Osmani pas vizitës në Shqipëri, janë shumë më afër opozitës se sa shumicës qeverisëse. Kurti është që në krye të herës, kur nga një “dashuri platonike” me Edi Ramën, i cili e quajti një herë politikanin më të kompletuar të Kosovës, u kalua në një ndasi akujsh, e cila erdhi duke u bërë gjithnjë e më therëse, deri sa, disa muaj më Parë, u kthye në një akullnajë, e cila, nga askush në lojën politike, nuk e di se si do të shkrihet.
Kurti, çuditërisht, e ka gjetur veten më pranë Berishës se sa Ramës dhe kjo nuk ka të bëjë asfare me idetë që u hodhën në media për idenë e ndarjes së kufijve, pasi asnjë ide të tillë, veçse mediatiksiht, nuk ka pasur. Më tepër se sa ndodhi ishte një “shpallje lufte” për njeriun që në Tiranë njihej si mentori i Thaçit dhe ky i fundit ishte kundërshtari i përbetuar i Kurtit që në janarin e vitit 1999. Pas 22 viteve, tani, më 14 shkurt, Kurti mori “hakun” e asaj që kishte nisur në ditët e Rambujesë, kur, pas kundërshtimit të Adem Demaçit për rambujenë dhe propozimit të tij, si një pajtesë e çastit që në vendin e tij të ishte Albin Kurti dhe kundërshtimin e Thaçit, nisi sherrnaja, dhe mirë bëri që nisi, pasi, 22 vite më pas, kemi një përmbysje të detashmentit qeverisës, që më shumë e trajtoi Kosovën si domenin e saj, se sa e të gjithëve në një fillesë të barabartë.
Që Kurti, e pas tij Osmani, janë krah opozitës dhe, që thuajse dy vite më parë, bënin thirrje për pranverën shqiptare, kjo dihet; ajo që përbën ende enigmë është në të fshehtën se çfarë e lidh një forcë politike të së majtës në Kosovë, me një forcë politike që është kundërshtare e saj; çfarë të përbashkët mund të ketë brezi i vitit 1998 në Kosovë dhe 80 vjeçarët e Tiranës; cila është lidhja mes të rinjve kryengritës në Prishtinë dhe “kryengritësve inatçorë” në Tiranë? Por, politika, aq sa është arti i të mundshmes, aq është edhe arti i paradigmave dhe i enigmave.
Mes Lëvizjes VV dhe Listës Vjosa, në njerën anë dhe forcave opozitare në Tiranë ka përngjasime të pakta, tejet të papërfillshme, ashtu si ka ndasi të mëdha dhe të kundërta të skajshme.
Kurti dhe Lëvizja e tij politike, ku zonja Osmani është shtesë e çastit dhe praktiçizëm politik, rrëzuan një tërësi të vjetër politike, e cila, prej 20 viteve, përmes alternimeve dhe tkurrjeve e bashkimeve kishte qeverisur Kosovën, duke humbur shumë nga aspiratat e ngritura nga lufta çlirimtare.
Kjo klasë politike duhej ndëshkuar. Në Kosovë duhej ndryshimi, si domosdoshmëri. Edhe nëse zoti Kurti nuk i realizon dot aspiratat e tij në përmasat e premtuara, përsëri Lëvizja solli dobinë e parë të madhe: rrëzoi një klasë politike, e cila, në më shumë se gjysmën e popullsisë kishte humbur besimin dhe ishte bërë e padurueshme.
Njerëzit, sidomos të rinjtë, e kishin humbur besimin dhe donin të besonin dikë tjetër. Që sillej ndryshe, besonte ndryshe, artikulonte ndryshe dhe rebelohej ndryshe. Një forcë politike, ku shumica janë të rinj dhe aspirues të ndryshimit ishte edhe shenja e parë e besimit. Për më tepër, një vit më parë, ajo mjeshtërisht u paraqit si një forcë politike që heq dorë nga pushteti për të ruajtur parimin dhe vizionin, duke e ditur se nuk mund të qeveriset me vjetërsi politike dhe se kthimi do të ishte në kohën e duhur.
Të gjithë staturat kryesore politike të Lëvizjes VV janë të rinj, aspirues ndryshimi. Edhe figura të njohura të kohës së rezistencës, si Emrush Xhemajli, Hydajet Hyseni, Gani Krasniqi, Sabri Kiçmari etj janë shembulltyra të një jete të ndershme.
Në opozitën e tanishme, për fat t keq, megjithëse duket se loja luhet në selinë e Shqup-it të dikurshëm, në fakt fijet tërhiqen nga lideri 80 vjeçar, i cili nuk e ka më as kohën dhe as mendësinë për të sjellë të renë, vizionin dhe përkushtimin. Nëse opozita pret që të fitojë betejën dhe të kthehet në pushtet përmes “qyetarit digital” ajo do të duhet të presë edhe shumë e shumë katër vjeçarë të tjerë.
Të rinjtë e Lëvizjes VV, thuajse të gjithë, janë figura të njohura, por të papërlyera në afera të ndryshme financiare. Megjithëse në qeverinë e parë të Kurtit kishte figura kontestuese, kishte fillimisht shfaqje intolerance, ajo përbëhej nga njerëz që ishin të përkushtuar, si Albulena Haxhiu apo Glauk Konufca.
Me cilët do i shkëmbente opozita e tanishme këto figura: me Nard Ndokën, Dash Shehin apo Vangjel Dulen? Në cilat afera nuk ka qenë e përfshirë opozita kur ishte në pushtet? Cili prej tyre nuk është sot ndër pasunarët e pamerituar dhe cili do të kishte emër të njohur nëse nuk do të kishte qenë në politikë?
Dallimi tjetër, i cili duhet të ftohë entuziasmin dhe të gjenden rrugë të tjera për të ndryshuar gjendjen, është mes vizionit të liderit; nga njëra anë kemi një drejtues partie të komanduar, që edhe kur humbi zgjedhjet e vitit 2017 nuk u tërhoq, por bëri rikthimin përmes mbushjes së kutive dhe ngrirje 0 shkrirjes, ndërsa, nga ana tjetër, Kurti, megjithë shenjat e autokracisë, është një figurë që e ka ndërtuar vetë godinën e strukturën e partisë së tij.
Dikur, kur donin të blinin një shtëpi, blerësit pyesnin: E ke ndërtuar vetë apo ta ndërtuar babai?
Nëse e kishte ndërtuar vetë çmimi do të ishte i lartë, nëse do e kishe dhuratë, çmimi do të ishte i ultë, pasi nuk i dije mundimet e ngritjes së shtëpisë.
Kurti e ka ngritur vetë, ka pritur 20 vite që të jetë aty ku është; Basha e gjeti gati, ia kaloi si me testament politik ati i tij politik; Kryemadhi, edhe më tej, si dhuratë familjare, dhe as njëri e as tjetri nuk i forcuan strukturat politike e as organizative. Vegjetuan, kur Rama përgatiti gjithçka.
Kurti, shumë gjatë, e Osmani, disa javë, luftuan brenda strukturave, edhe duke i shkelur ligjet, u rrëzuan, u përjashtuan, nuk u vetëpërjashtuan asnjëherë. Tymueset ishin shenja të rebelimit e ndoshta të padurimit ndaj pushtetit, por kurdoherë të motivuara për qëllime kombëtare. “Molotovët” e Bashës kundërshtonin largimin nga detyra të një kryeprokurori të korruptuar, shkonin deri në synimin për zaptimin nga jashtë të parlamentit; ndërsa Kurti protestën e tij e paraqiste kundër Demarkacionit, vendosjes së prapshtë të kufirit me Malin e Zi.
Kurti qëndroi në parlament dhe përmes parlamentit rrëzoi qeverinë Hoti, pikërisht kur e kuptoi se kishte ardhur koha e duhur. Nëse do të kishte vepruar më parë mund të ishte i ngutur; nëse do të kishte vepruar më pas mund të ishte i vonuar.
Basha dhe Kryemadhi nuk e kuptojnë kurrë se kur janë të vonuar, as kur janë të ngutur. Katër muaj para Bashës ngriti shefi i qeverisë drejtuesit e grupet e punës për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa Basha në momentin e fundit. Rama përcaktoi me cilët do të punonte që në krye të herës, afaristë, biznesmenë, oligarkë, njerëz me reputacion, të fortë, ndërsa Basha, edhe aleatin e tij të vetëm besnik në të gjitha situatat, mehdiun, ngurroi deri në fund, kur duhej ta kishte nisur nga ai.
Mes dy palëve ka ndasi të mëdha dhe sa më shpejt ta kuptoj këtë trupa drejtuese e opozitës, aq më mirë do të ishte. Edhe për të, sepse është koha e reformimit, edhe për vendin, që ndjen mungesën e opozitës serioze.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi Isa Mustafa dha dorëheqje dje, pas rënies së dukshme…