![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/02/drenas-3.jpg)
Lladrovci nderon dëshmorët
Për nder të 13-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me kabinetin e tij, drejtorë të drejtorive komunale, anëtarë të Kuvendit të Komunës dhe qytetarë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule të freskëta në varrezat e dëshmorëve në Komunën e Drenasit.
Lladrovci ka bërë homazhe në sheshin “Fehmi Lladrovci”, te shtatorja e Fehmi e Xhevë Lladrovci, Shaban, Hamëz e Adem Jashari, Bedri Shala, Rasim Kiçina e Ilaz Kodra. Kryetari Lladrovci ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Jasharëve në Prekaz, në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Marinë, në varrezat e dëshmorëve në Gllanasellë, Likoshan, Çikatovë e Vjetër, Baicë, Abri, Tërdec, Gllobar, Tërstenik, Vërboc, Shtuticë, Negroc, Krajkovë, Damanek, Shtrubullovë, Poklek i Ri dhe i Vjetër dhe në Nekoc.
“I përkulemi çdo kontribuuesi për lirinë e pavarësinë e Kosovës, me zotimin se rruga jonë nuk do të ndalet deri në jetësimin e amanetit të më të dashurve tanë që sakrifikuan për ne, për shtet të lirë e të zhvilluar, shtet ligjor e të mirëqenies, shtet të dijes e barazisë”, ka thënë Lladrovci.