Lider dhe jo më idhull

18 shkurt 2021 | 17:30

Alfons Grishaj

1.

Në kohën tonë lideri modern është misionar dhe jo idhull klasik, sepse koha nuk ia lejon një shkapërcim të tillë, nga lider misionar në idhull dhe nga idhull në legjendë. Aktualisht politikanët perëndimorë nuk mund të bëhen më idhuj. E shikojmë përditë dhe më shumë që idhuj bëhen shpikësit si, p. sh., Stive Jobs, sportistët si Tom Brady, dijetarët dhe filozofët si Wittgensttein, i cili me një libër filozofik, “Tractaus Logico-Philosophicus”, u bë një ndër 50 filozofët më të mëdhenj të Perëndimit; shkrimtarë si Joanne Kathleen Rowling, autore e “Harry Potter” etj.

Shoqëria moderne civile perëndimore i urren idhujt politikë dhe nuk lejon një impakt të tillë sepse, pasi i jep votën lidershipit (subjektit) politik, i dorëzon pushtetin brenda një afati kohor të përcaktuar, e jo një pushtet absolut të përhershëm apo të pakontrolluar që do ta bënte liderin diktator dhe pushtetin e tij diktaturë. Kontrata transitore e mandatit të pushtetit ndiqet e vëzhgohet hap pas hapi nga shoqëria dhe në fund bëhet bilanci dhe vlerësimi historik i arritjeve apo i dështimeve. Që lideri të respektohet apo mbetet i nderuar për një kohë të gjatë në kuptimin historik, kjo varet nga vizioni i drejtimit nga ana e tij, por dhe impresioni i masës, e cila kërkesat dhe pritshmëritë i ka pothuajse gjithmonë të parashtruara në sensin e imediates.

Por, ndodh nganjëherë që lideri në fund të një mandati të lartësohet nga urrejtje e kundërshtarit. Ndërsa 75 milionë amerikanë e përkrahën dhe e votuan Donald Trump si lider, kundërshtarët e sulmuan me dy impeachments të gabuara duke e kthyer atë në legjendë…, fodullëk ky që, do t’u kushtojë demokratëve karriget, sepse ata liderin kundërshtar normal e kthyen në mit!!! Dhe mitet është e vështirë t’i luftosh, sepse më parë duhet t’i zhbësh, gjë që nuk është aspak e lehtë.

Në politikë kanë qenë të paktë liderë që janë bërë idhuj dhe kthyer në legjendë (ne kemi Gjergj Kastriotin) që kanë bërë histori në shërbim të popujve. Shumë të tillë janë konsumuar nga pushteti që në fazën e parë të ballafaqimit me problemet e shtetit. Ata janë sfumuar dhe avulluar sipas qasjes spekulative, injoro ligjin dhe mbjell lavdi personale mbi të. Bash në ato momente populli ndeshet me vrasjen e shpresës, ku papritmas ndihet i kurthuar në skëterrën e kolapsit të shtetit. Në këto momente dramatike masa njeh mëkatin e kthyer në idhull që, për mendimin tim, nuk është asgjë tjetër vetëm pulsi i vdekjes që fiket ngadalë, ndërsa shpirti largohet e merr arratinë për në skëterrë, duke vështruar nga lart trupin e vet të pajetë të shtrirë mbi dhe masën me duar në kokë.

Ashtu siç shkroi Nietzche in “Thus Spake Zarathustra” (Kështu foli Zarathustra): “Gjithçka ju jep, po ta adhuroni këtë idhull të ri: kështu ai blen shkëlqimin e virtytit tuaj dhe vështrimin e syve tuaj krenarë. Do ta peshkojë shumicën nëpërmjet jush! Po na u shpik një makinë ferri, një kalë i vdekjes me tingëllim zilesh të ndereve hyjnore”.

 

2.

Sevdaja e idhujve të rremë e ka ndjekur popullin tonë në shekuj. Herë një Ballaban e herë një Enver, herë një Esat e herë një Erdogan, pastaj në djall ti, o vatan! Varfëria dhe pamundësia e ka ndëshkuar keq për këto mëkate, sa dhe sot në shekullin 21 për një grusht miell (e kam thënë dhe më parë), ta jep votën dhe po i ndërtove një kasolle, të jep dhe votën! Renegatë frymorë shfaqen aty-këtu duke ngritur buste pushtuesish e duke bërë tregti me flamurin tonë kombëtar, më i bukuri në alem. Ashtu si Guri Rrokaj që i këndoi Erdoganit. E pra Guri e gurëleshët nuk e kuptuan asnjëherë se paketa e ndihmave të Erdoganit s’është tjetër veçse thjesht ambalazhi i ideologjisë ekspansive neootomane dhe i marrëdhënieve tregtare Turqi – Shqipëri. Ai po i ndërton ato shtëpi apo spitale, bash me tepricat e superfitimeve nga këto marrëdhënie, ku prevalojnë prodhimet e dobëta të kompanive me shërbimet më skarco në glob, të sjellja prej tij në Shqipëri, duke ua shitur shqiptarëve “sapunin për djathë” kundrejt një fitimi astronomik, në raport me shërbimin dhe produktin. Dhe kjo dhuratë rip off… vjen bash nga “idhulli” turk, Erdo-Khan! Historikisht, që nga koha Ginghis Khan-it, Khanët kanë pasur dëshirë t’i fusin hundët e tyre që nga zemra e Azisë (Kinë) deri në Evropë e “Arrnautllëk”.

Sa për ilustrim:

Aktualisht, interneti më i fuqishëm që shitet në Shqipëri nga kompania turke është 100 Mbps (ndërsa në Amerikë, normalisht shkon te 940 Mbps që kushton sipas ofertës, 30-40 dollarë në muaj). Në Amerikë servisi turk do të kushtonte 3-5 $, ndërsa në Shqipëri shitet 30-40 dollarë. Duke krahasuar nivelin midis dy vendeve konstaton se: Niveli i të ardhurave vjetore për klasën e mesme në USA është 55-110 mijë dollarë në vit, kurse të ardhurat vjetore në Shqipëri për klasën e mesme janë 6 deri në 12 mijë dollarë në vit. Sipas një logjike të thjeshtë matematikore i bie që “Vëllau” turk na e shet internetin e një niveli dhjetë herë më të dobët me një çmim 10 apo 20 herë më të lartë. Nëse këto janë marrëdhënie vëllazërore… që synojnë të na mbajnë skllevër të përjetshëm të një perandorie fantazëm…, mua s’më mbetet gjë tjetër vetëm të them, turqisht: Hosgeldiniz!: “Mirë se erdhët!”

Popullin turk e dua, një herë e një kohë e kam studiuar gjuhën dhe kulturën e tyre, duke shëtitur gjithandej Bizantin e transformuar që quhet Turqi, por që “idhujt” e këtij shteti duan të bëjnë sërish Sulltanat, çka nuk përputhet me idealet e popullit modern turk. Sikur të ish gjallë lideri historik turk me gjak shqiptari, Mustafa Kemal At’aturku, idhull i vërtetë që u bë mit, për shumë arsye, Erdo – Khanët do të ishin gjetkë!

 

3.

Pasqyrimi i realitetit të dhimbshëm shihet prej vitesh në jetën politike shqiptare. Ajo ka prodhuar vetëm idhuj të rremë. Dje shumë u gëzuan që votimet në Dardani sollën fitoren e partisë së Albin Kurtit, mbase për një kthesë historike, duke shpresuar të paktën që kursi i zgjedhjeve të reja të mos të ndiqet nga drejtimi me mendësi të vjetra.

Nuk ka rëndësi se kush do të jetë pas atyre që bënë luftën. Nëse Albin Kurti do t’i mbajë të ndenjurat në Evropë dhe mendjen në lindje, ai nuk do të sjellë asgjë të re, vetëm do ta keqësojë situatën. Nëse ai do të këshillohet me njohës të politikës dhe ushtrisë me kahe evropiane dhe perëndimore si dr. Demiraj etj., gjëra të bukura do të bëhen. Personalisht, më pëlqen Albin Kurti, se është shpirt rebel, i lirë, por në politikë… liria ushtrohet sipas një kodi që ka kufij të përcaktuar. Së pari, ai dhe shokët e tij duhet të luftojnë për identitetin shqiptar, duhet ta korrigjojnë flamurin, gjë që nuk e bënë paraardhësit e tij.

Në Dardani, ndihet mungesa e Ghandit shqiptar, Ibrahim Rugova! Partia e tij pësoi një humbje shokuese! Pasuesve të LDK-së dhe popullit dardan do t’u duhen edhe 40 vjet që ta kuptojnë filozofinë e Rugovës, këmbënguljen për mbajtjen e flamurit të Arbërit, pa kompromis. Ai ishte i vetmi politikan intuitiv e vizionar që mund ta bënte Shqipërinë Etnike, ndërsa sot kanë mbetur (përjashto Haradinaj e ndonjë tjetër) ca çudibërës që bëjnë zigzage si rrajzat dhe shpeshherë për ta mbuluar inferioritetin e tyre akuzojnë Abrahamin se u ul në tavolinë me Millosheviqin! Jo more bukëshkalë, pengmarrja nuk është ulje në bisedime. Ulje në tryezë ka bërë Fatos Nano, dhe sot askush nuk kujtohet se sa dëm i solli çështjes së Kosovës ai takim me kasapin e Ballkanit. E njëjta gjë dhe sot. Takimet e idhullit të PS, Ramëziu me Aleksandër Vuçiqin prej nga mbijnë teza “të reja” bashkëpunimi që përfshijnë deri edhe shkëmbimin e territoreve.

Sipas mendimit tim, objektiviteti i gjykimit nuk vjen asnjëherë i pastër nga ligësia e klanit subjektiv, por nga pastërtia e qartësia e koshiencës objektive të masës, që jo rrallëherë dhe ajo bëhet irelative. Koka e udhëheqësit të lindur asnjëherë nuk mund të bëhet hejbe banditësh e as kanaçe lypsarësh, por vetëm skeptër i rrugës së humbur.

Nëse nesër në Shqipëri do të riciklohet e vjetra dhe nuk bëhet rokada e ripërtëritjes së shpresës, krizat do të thellohen, sepse shefi i bandave nuk është lidership, por idhull i krijuar nga turma që i shërben vetëm klanit, psikologji kjo e klasës së degraduar që shprehet me motivin: “sa më të fortë të jemi sot, aq më të paprekshëm do të jemi nesër”.

Sipas mendimit tim, (pa hyrë në shkencat e filozofisë ky dhe ai tha…), këta janë idhuj artificialë si në kohën prehistorike, të ngjyrosur sot nga dekori deklamativ i pompuar nga pasioni partiak. Ata nuk vijnë si krijues, si konstitucionalistë, si njohës shteti, por nga një korrent i intoksikuar nga propaganda e rremë e partisë, dhe prej këtyre humbësve të ngjyrosur, populli shqiptar do të ketë vetëm humbje.

Një popull i vogël me një varrezë të madhe partish është i destinuar të rrijë në vendnumëro ose të ripërsërisë krizat sepse psikologjia e idhullit kulmon tek uni dhe jo esenca e debatit konstruktiv brenda shoqërisë. Ne shohim që dashuria ndaj vetvetes braktis kufijtë e arsyes duke i anashkaluar kërkesat kolektive. Fatkeqësisht, kjo lloj psikologjie sjell krizat.

Le të ndalemi për një minutë, te themeluesit e panumërt të partive në Shqipëri, të gjitha janë pjellë e dy partive nëna. Ata ikin porsa nëna ua ndërpret gjirin, bëjnë kopenë e tyre duke i vendosur një emër grishës dhe e lëshojnë në kullotat ende të paplaçkitura për të vjedhur atë gjelbërim që ka mbetur! Të babëzitur e të pafrenuar në instiktet e tyre kafshërore ata nuk mund të krahasohen dot as më shpirtlartësinë e kafshëve të egra që pasi ngopen me prenë e tyre, e ndajnë tepricën me gjahtarët inferiorë sikur të duan të shprehin se e respektojnë kodin minimal të ligjeve të jetës tokësore: jeto por jepu mundësinë dhe të tjerëve që të jetojnë.

Ka ardhur koha për një Ubermensch… jo si ai i Nietzches anti-Krisht, por një mbinjeri që ngjall shpresën dhe shëron plagët e atdheut .

Mjaft më me trazicionin e stërzgjatur dhe idhujt e rremë…, le ta promovojmë një lidership të ri modern, një politikan që ka shkëlqyer në portofole të ndryshme, por që nuk ka pasur shans asnjëherë të jetë në krye të punëve të shtetit. Ai po shpalos një program realist dhe vital për ringritjen e Shqipërisë. Sjellja perëndimore e tij dëshmohet në kushtin e parë të kontratës që u ka parashtruar shqiptarëve: “Më provoni, nëse nuk e mbaj fjalën nuk dua mandat të dytë, nuk do kandidoj më”! Kjo tregon se ai e ka matur veten me metrin e kohës dhe di çfarë duhet ndryshuar për të ecur përpara. Vota ime dhe e miqve të mi do të jetë për të edhe sepse demokracia e kërkon domosdoshmërisht rikthimin e opozitës në pushtet, për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizave dhe ngërçeve të shumta politike. Jemi të bindur se Lulëzim Basha, nuk synon ta shndërrojë liderishipin e tij në objekt idhujtarimi. Por zgjedhjet që të na japin rezultatin që dëshirojmë duhen zhvilluar në atë frymë demokratike perëndimore të diskutimit dhe aprovimit në masë të gjerë të kontratës qeverisëse për vitet e ardhshme.

Vetëm kontrata e popullit me burrat e dheut do të mund t’i shërojë plagët e shoqërisë sonë dhe të çelë një perspektivë të re.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi,…