Dështon gjykimi ndaj 11 veteranëve të luftës për dëmet e shkaktuara para qeverisë

19 shkurt 2021 | 14:08

Ka dështuar për të katërtën herë me radhë seanca fillestare ndaj 11 veteranëve që po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, Xhevdet Qeriqi, Muhamed Kuka, Zymer Ahmeti, Fahri Zeqiri, Arsim Hopp, Skënder Llugiqi, Ekrem Xheladini, Nusret Azemi, Bahti Danushi, Driton Sadiku dhe tani i ndjeri Gj.M.

Një gjë e tillë sërish ka ndodhur për shkak të mungesës së të akuzuarve Hopp, Xheladini, Llugiqi dhe Danushi.

Ata po akuzohen se më 7 gusht 2015, gjatë protestës së organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës lidhur me procesin e verifikimit dhe daljes së rezultateve nga procesi i verifikimit së veteranëve të luftës, me dashje në bashkëkryerje kanë derën lëvizëse të hyrjes së Qeverisë së RKS-së, kanë thyer xhaminë kabinës së portës hyrëse të kësaj ndërtese si dhe kanë dëmtuar një veturë që ndodhej në këtë objekt.

Në këtë seancë gjykatësja Krasniqi ka kërkuar nga përfaqësuesi i Qeverisë, avokati Bedri Krasniqi që ta njoftojë gjykatën lidhur me precizimin e dëmit meqenëse sipas saj, dëmi në këtë rast është element esencial i figurës së veprës penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Avokati Krasniqi ka thënë se pala e dëmtuar është ende në procedurë të mbledhjes së fakteve me qëllim që ta faktoj vlerën e dëmit të shkaktuar dhe se deri më tani nuk kanë mundur mund ta precizojnë.

Mirëpo me këtë shtyrje të pakënaqur kanë qenë të akuzuarit e pranishëm, të cilët kanë kërkuar nga gjykata që deri në caktimin e vlerës së dëmit të mos ftohen më për seanca.

“Meqenëse është seanca e katërt që nuk po mbahet edhe përfaqësuesi i Qeverisë vazhdimisht në secilën seancë po arsyetohet se do ta sjellin raportin e atij dëmit që është bo në seancën e radhës. Mu po më duke një lojë që po bohet me ne. Është e padrejtë kjo çka po ndodh, po bohen gati gjashtë vite që na akuzohemi prej qeverisë edhe mos me qenë në gjendje me bo një raport, edhe me na malltretu kështu. Mu po më doket një lojë politike. Unë kisha kërkua prej juve si gjykatë që mos me thirr seance pa e ofruar raportin qeveria. Në momentin që të ofrohet raporti na thirrni në seancë, përndryshe deri në vendimin përfundimtar unë nuk marrë pjesë”, ka thënë i akuzuari Qeriqi.

Lidhur me këtë gjykatësja Krasniqi ua ka sqaruar të akuzuarve se arsyeja e shtyrjes së seancës ishte mungesa e të akuzuarve dhe jo caktimi i vlerës së dëmit të shkaktuar.

“Ta sqaroj, seancën unë pe shtyj jo për këto, po për shkak që po mungojnë këtë të tre, kjo osht arsyeja e shtyrjes. Meqenëse këta jonë në Kosovë, nëse ishin kon jashtë vendit e kishim vequ procedurën për këta, por që të njëjtit gjinden këtu. Edhe qikjo osht arsyeja se mungojnë tre të akuzuarit”, ka thënë gjykatësja Krasniqi.

Ndërsa prezent në këtë seancë ishin prokurori Menduhi Kastrati, të akuzuarit Qeriqi, Azemi, Kuka, Ahmeti, Zeqiri,Sadiku, si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati i shtetit Krasniqi.

Gjykatësja Lumnije Krasniqi, të premten ka deklaruar se për të akuzuarin Danushi, Stacioni Policor në Lipjan e kishte njoftuar se i njëjti së bashku me familjen e tij gjenden në Gjermani.

Ndërsa, për të akuzuarin Hopp, mbrojtësja e tij, avokatja Zahide Gjonaj, ka deklaruar se i mbrojturi i saj vazhdon të jetë në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Edhe për të akuzuarin Llugiqi, i akuzuari Azemi gjykatën e ka njoftuar se edhe ai është i sëmurë dhe nuk mund ka mundur të paraqitet në gjykatë. Sa i përket të akuzuarit Xheladini, i akuzuari Qeriqi ka thënë se e kishte njoftuar paraprakisht, por që i njëjti kishte harruar të paraqitej në seancë.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 14 prill në orën 9:00, ku sipas gjykatëses Krasniqi, i akuzuari Hopp do të njoftohet përmes mbrojtëses së tij, ndërsa të akuzuarit Llugiqi dhe Xheladini do të njoftohen me ftesa të rregullta.

Gjithashtu, gjykatësja Krasniqi e ka obliguar përfaqësuesin e palës së dëmtuar, avokatin Krasniqi që për seancën e rashës të sjell prova lidhur me vlerën e dëmit të shkaktuat.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 2 tetor 2017 kishte ngritur aktakuzë ndaj Nusret Azemit, Driton Sadikut, Xhevdet Qeriqit, Arsim Hopp, Skënder Llugiqi, Bahti Danushi, Muhamed Kuka, Ekrem Xheladini, Zymer Ahmeti, Fahri Zeqiri, dhe tani i ndjeri Gj.M, të cilët i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 333 par. 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktin akuzues thuhet se të akuzuarit më 7 gusht 2015, në sheshin “Skënderbeu”, në afërsi të ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjatë protestës së organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës, ndaj pakënaqësive të tyre lidhur me procesin e verifikimit dhe daljes së rezultateve nga procesi i verifikimit së veteranëve të luftës, me dashje në bashkëkryerje kanë dëmtuar pasurinë e Qeverisë së RKS-së.

Siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit, fillimisht kanë dëmtuar derën lëvizëse të hyrjes së objektit të Qeverisë, më tej me mjete të përshtatshme thyejnë xhamin e kabinës së portës hyrëse, dhe Poashtu kanë dëmtuar automjetin e tipit “Xhip” që ndodhej në hapësirën e oborrit të objektit qeveritar me ç’rast të dëmtuarës i shkaktojnë dëm material. /BetimipërDrejtësi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka njohur angazhimin dhe qeverisjen efektive…