Ramadani: Krenar që isha pjesë e kësaj historie të suksesshme

19 shkurt 2021 | 19:11

Selektori Taip Ramadani është ndarë me Përfaqësuesen e Kosovës pas pesë vjetësh. Ai ka thënë se ndihet krenar që ishte pjesë e kësaj historie të suksesshme me “dardanët” e hendbollit.

May be an image of 2 njerëz dhe people standing

Taip Ramadani, pas një periudhe rreth pesëvjeçare, është larguar nga Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll. Trajneri në fjalë e ka falënderuar fillimisht presidentin e Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, anëtarët e bordit të FHK-së dhe sekretarin e përgjithshëm Izet Gjinovci për besimin që kishin për të dhe mundësinë që i japin për ta marrë drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës.

“I falënderoj për mbështetjen e pandalshme ndaj meje dhe ekipit. Gjithmonë kanë punuar me vullnet të madh që të na i sigurojnë kushtet e duhura për të shkëlqyer. Dhe ne me të vërtetë shkëlqyem. Falënderoj edhe zyrtarët e federatës për përkrahjen e palodhshme në administrimin e ekipit”, ka thënë ai.

Taip Ramadani më pas ka falënderuar edhe trajnerët që ka bashkëpunuar gjatë këtyre viteve, anëtarët e klubeve dhe shoqatave, dashamirët e hendbollit, gazetarët, dhe  djemtë e përfaqësueses. “Ishte një hyrje e zjarrtë në hendbollin e Kosovës për mua. Fillim i dështuar. Kurrë nuk kisha përjetuar më parë që nga zhgënjimi i madh i publikut palestra të zbrazej para se të përfundonte pjesa e parë. Ndodhi, por kjo veç na forcoi vendosmërinë si ekip dhe na bëri ta kuptojmë realitetin e gjendjes. U zhgënjyem shumë, ama nuk e ulëm kokën. Vazhduam pak nga pak, filluam ta gjejmë ritmin tonë. Qëllimi i parë ishte të ngrehemi nga grupi i shteteve në zhvillim. Me fitore kundër Luksemburgut dhe Qipros, ndër shtete të tjera, e arritëm këtë në Bullgari më 2017. Pastaj në kampanjën kualifikuese të ‘Euro 2020’, arritëm të klasifikohemi direkt në fazën e dytë të Kampionatit Evropian”, ka thënë Ramadani.

May be an image of 16 people, including Jon Muqolli, Vlerson Zherka, Oltion N. Beshiri, Kastriot Jupa and Enis Kabashi dhe E brendshme

“Fitorja e parë në Kampionatin Evropian na erdhi kundër Izraelit në Prishtinë. Në Nynberg, para 10 mijë shikuesve, djemtë arritën për një pjesë të plotë të luajnë baras me Gjermaninë (12:12). Edhe pse në fund e humbëm lojën, kjo ishte testament i aftësisë së ekipit. Më 12 qershor 2019, në një atmosferë të flaktë hendbolli, në Prishtinë arritëm ta sfidojmë superfuqinë e hendbollit, Poloninë. Fitoren e kishim në duar, por sekondën e fundit të lojës, Polonia e barazoi rezultatin. Në janar 2020, në kualifikimet për kampionatin botëror, barazuam me Italinë dhe fituam kundër Gjeorgjisë, duke e siguruar vendin e dytë në grup, mbas Rumanisë.  Ekipi vazhdon të ngrehet në nivel të lartë ndërkombëtar”, ka shtuar ai. Taip Ramadani ndihet krenar që ka qenë pjesë e kësaj historie të Përfaqësueses së Kosovës. “Mbetëm përgjithmonë mirënjohës dhe krenar që e pata rastin të jem një pjesë e vogël e historisë të kësaj përfaqësuese. Ka qenë detyra më sfiduese që kam ndërmarrë ndonjëherë, por edhe më shpërblyese. Sot jam jashtëzakonisht krenar që mund ta quaj veten ‘Dardan’. Ekipit i uroj suksese të shumta në sfidat e ardhshme. Gjithmonë do ta ketë përkrahjen time”, ka thënë Ramadani, i cili në fund ka falënderuar edhe familjen për mirëkuptimin dhe durimin që kishin ndaj tij përgjatë këtyre viteve.

Ndërsa kryetari i Federatës i Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, e ka falënderuar trajnerin Taip Ramadani për punën dhe kontributin e madh që ka dhënë për hendbollin e Kosovës. Njëshi i FHK-së e ka quajtur Ramadanin si njërin nga selektorët më të suksesshëm të Kosovës.

“Në emër të Bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës e falënderoj selektorin e deritashëm, Taip Ramadani, për kontributin shumëvjeçar dhe për sukseset të cilat i ka arritur së bashku me ekipin e tij. Mund të konstatohet se Taip Ramadani ka qenë një nga selektorët më profesionist dhe më të suksesshëm të hendbollit të Kosovës. Shpresoj që në një të ardhme të afërt të kemi mundësi për një takim lamtumirës me Taipin”, ka thënë Ramadani.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e…