Presidenti gjerman ‘godet’ deputetët për skandalin me maska: E turpshme sjellja juaj

12 mars 2021 | 15:39

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë të premten se ligjvënësit e përfshirë në një skandal të prokurimit rreth maskave kanë bërë sjellje të turpshme, duke i dhënë goditje Partisë Kristian-Demokrate të kancelares Angela Merkel para zgjedhjeve rajonale në fundjavë.

Një ligjvënës nga blloku konservator i kancelares Merkel të mërkurën është bërë deputeti i tretë brenda një jave që ka dhënë dorëheqje nga grupi parlamentar për shkak të skandalit që mund t’i kushtojë partisë në pushtet në zgjedhjet e së dielës.

Zemërimi rreth këtij skandali e ka shtuar edhe më shumë pakënaqësinë e gjermanëve rreth procesit të ngadalshëm të vaksinimit, i cili po shkaktohet nga mungesa e dozave dhe burokracia e rrënjosur, shkruan “Reuters”.

“…Dhe pastaj detyrohemi të dëgjojmë se deputetët, e të gjithë popullit, refuzojnë para se mbrojtja modeste mjekësore e maskave të arrijë te populli. Kjo është e papranueshme dhe e turpshme”, ka deklaruar presidenti gjerman në një konferencë të organizuar nga e përditshmja gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Javën e kaluar, Nikolas Loebel nga partia CDU ka dhënë dorëheqje, ndërsa konservatori bavarez, Georg Nuesslein, ka hequr dorë nga partia parlamentare. Të dy ishin të akuzuar për marrje të parave për ndërmjetësim në marrëveshjet e prokurimit për maska.

Ky skandal e ka turpëruar CDU-në e Merkelit, të cilës po i zvogëlohet përkrahja në rajonet Baden-Wuerttemberg dhe Rheinland-Pfalz, ku zgjedhjet e së dielës do të jenë matës i rëndësishëm i bindjeve politike të popullatës para zgjedhjeve federale që do të mbahen në shtator.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një situatë e pazakontë u regjistrua në kampionatin brazilian të…