Armenia provokon Azerbajxhanin me ushtrime në të njëjtën kohë me të

12 mars 2021 | 16:19

Armenia ka njoftuar se do të zhvillojë ushtrime ushtarake javën e ardhshme, pikërisht në kohën kur ushtrime të ngjashme do të mbajë edhe Azerbajxhani.

Të dyja vendet u përfshirë në një përleshje të ashpër me mijëra të vrarë vjeshtën e kaluar për shkak të rajonit të Nagorno-Karabakut dhe shtatë distrikteve përreth tij. Konflikti përfundoi me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia.

“Sipas planit për gjysmën e parë të vitit 2021, forcat e armatosura të Armenisë do të zhvillojnë manovra taktike dhe profesionale në të gjitha drejtimet operative me përfshirjen e grupeve të kombinuara të forcave të armatosura dhe trupave speciale”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Armenisë.

Kjo ministri shtoi se 7 500 trupa, 200 njësi raketore dhe artilerike, rreth 100 automjete të blinduara, më shumë se 90 njësi antiajrore dhe aeroplanë të ndryshëm do të përfshihen në këto ushtrime, shkruan “Free Europe”.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit të mërkurën ka njoftuar se ka planifikuar manovra ushtarake në datat 15-18 mars. Sipas kësaj ministrie, në ushtrime do të marrin pjesë deri në 10 mijë trupa, 100 tanke dhe mjete tjera të blinduara, rreth 200 njësi raketore dhe artilerike, deri në 30 njësi ajrore dhe dronë të modeleve të ndryshme.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë të premten se ushtrimet e planifikuara ushtarake të këtyre vendeve nuk paraqesin kërcënim për rajonin e Kaukazit Jugor.

“Sipas të dhënave që ne kemi, manovrat kanë qenë të planifikuara paraprakisht me qëllim të përmirësimit të gatishmërisë ushtarake të trupave dhe ato nuk paraqesin ndonjë rrezik për stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, ka deklaruar ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për 8 mars, organizata “QIKA” kishte realizuar një aksion simbolik…