Rritet numri i rasteve me Covid, masat mbesin të njëjta, vaksina askund

17 mars 2021 | 20:50

Në Kosovë të mërkurën kanë humbur jetën edhe tetë pacientë si pasojë e infektimit me Covid-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) ka raportuar edhe për 709 raste të reja me Covid, shkruan “Epoka e re”.

Në 24 orët e fundit më së shumti raste janë konfirmuar në Prishtinë, gjithsej 242. Duke parë situatën me këtë virus, spitalet në gjithë vendin janë pajisur edhe me 60 shtretër modernë për pacientët e prekur me Covid.

Ditët e fundit, me rritjen e numrit të të infektuarve me Covid, është rritur edhe kërkesa për plazmat e gjakut.

Në këtë drejtim është bërë thirrje që të niset një fushatë e mobilizimit të dhënies së gjakut të atyre që kanë kryer Covidin dhe që kanë antitrupa të mjaftueshëm.

IKShPK-ja bën thirrje për respektim të masave kundër Covidit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) ka theksuar se numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga Covid-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave. “Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale dhe njerëzore. IKShPK-ja përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19”, është thënë në njoftimin e IKShPK-së.

Ky institut ka bërë thirrje që të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme. “Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike; ndalimi rigoroz i tubimeve; respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike; kufizimi i punës për veprimtaritë joesenciale dhe vendngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës”, thuhet në mesazhin e IKShPK-së.

Spitalet pajisen me 60 shtretër modernë për pacientët e prekur me Covid

Njëzetë shtretër modernë për përkujdesje intensive, me katër thyerje, që dirigjohen nga dy telekomandues, të cilët e bëjnë më të lehtë dhe më të përshtatshëm qëndrimin e gjatë të pacientit, janë vendosur në Mjekësinë Sportive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, aty ku aktualisht po trajtohen pacientët e prekur me Covid-19. Njëzetë shtretër të tjerë do të shkojnë në Spitalin e Ferizajt, dhjetë në Spitalin e Gjakovës dhe dhjetë në Spitalin e Gjilanit.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë qëndruar në objektin e Mjekësisë Sportive për të parë nga afër ardhjen e shtretërve të rinj, ndërsa vlerësuan se investimet e bëra do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. “Po ashtu, kemi dërguar edhe pajisje të ndryshme si: analizues i gjakut, pajisje për oksigjenoterapi me rrjedhje të lartë, pompa seksioni dhe helmeta. Shtretërit dhe të gjitha këto pajisje janë në kuadër të blerjeve të Ministrisë së Shëndetësisë nëpërmjet UNOPS-it”, ka treguar ministri Zemaj.

Ai ka theksuar se kuadri shëndetësor e ka të domosdoshëm plotësimin e kushteve, nevojave për barna, material shpenzues dhe pajisje cilësore për të qenë në krye të detyrës. Shtretërit e rinj janë pjesë e “Projektit emergjent Covid-19 për Kosovë”, i financuar nga një kredi e Bankës Botërore – përmes UNOPS-it.

Mbesin në fuqi masat e njëjta kundër Covid-19

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka takuar të martën ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Naser Ramadani, drejtorin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi dhe zëvendësministrin e Arsimit, Xhavit Rexhaj, me të cilët ka biseduar për gjendjen me pandeminë Covid-19.

Në këtë takim është vendosur që të mbesin në fuqi masat e njëjta kundër Covid-19, pasi është vlerësuar se trendët janë stabilë. Ndërkohë që po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi.

Edhe në këtë takim qytetarëve u kërkohet ta respektojnë distancën fizike, t’i përdorin maskat dhe ta mirëmbajnë higjienën personale.

Nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të masave kundër Covid-19, kërkohet që ta ngrehin nivelin e angazhimit përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi.

Pavarësisht prej ngarkesave, institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota dhe furnizimi me barna është stabil. Ndërsa Komiteti për Imunizim dhe institucionet përkatëse janë duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që sapo të arrijë kontingjenti i parë i vaksinës “Covax”, menjëherë të fillojë vaksinimi i qytetarëve.

Rritet kërkesa për plazmat e gjakut

Ditët e fundit, me rritjen e numrit të të infektuarve me Covid, është rritur kërkesa për plazmat e gjakut të cilat përmbajnë mbi 50 antitrupa.

Profesori universitar Valon Murati ka thënë se këto ditë kemi parë edhe shumë figura publike të kenë nevojë për vete apo kërkojnë ndihmë për familjarët e tyre. “Duke pasur parasysh vështirësitë e tyre, mund ta marrim me mend se sa të vështirë e kanë njerëzit që nuk kanë të njëjtën qasje në rrjetet sociale dhe në mediat tona. Andaj do të ishte mirë që Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, së bashku me QKUK-në, IKShP-në dhe me Ministrinë e Shëndetësisë të nisin një fushatë të mobilizimit të dhënies së gjakut të atyre që e kanë kryer Covidin dhe kanë antitrupa të mjaftueshëm. Besoj solidariteti nuk do të mungojë, ashtu siç edhe po ka përgjigje në këto thirrjet individuale, por duhet një organizim shtetëror në mënyrë që efekti të jetë më i madh dhe të ketë plazma për të gjithë ata që kanë nevojë”, ka thënë Murati.

Kosova ende pa asnjë vaksinë kundër virusit “Korona”

Është mbushur një vjet prej që Kosova është prekur nga pandemia Covid-19, ndërsa ende nuk ka arritur asnjë dozë e vaksinës kundër Covidit. Derisa vendet e rajonit kanë filluar vaksinimin e qytetarëve kundër këtij virusi, në Kosovë ende nuk dihet data e saktë se kur mund të arrijë vaksina.

Zyrtarët qeveritarë kanë bërë me dije se brenda pak javësh vaksina do të arrijë edhe në Kosovë. “Tash jemi në fazën finale të kësaj pandemie në bazë edhe të vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare lidhur me këtë pandemi. Për disa javë ne presim arritjen e vaksinave dhe do ta fillojmë vaksinimin masiv bazuar në strategjinë e imunizimit që tashmë është përgatitur. Të gjitha përgatitjet janë bërë në këtë drejtim”, ka deklaruar Hoti, duke shtuar se Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK-ja i kanë bërë të gjitha përgatitjet teknike për të filluar.

“Më lejoni të them edhe një herë, edhe për vaksinën jemi kritikuar, por ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për ta sjellë vaksinën sipas standardeve të BE-së. Nuk kemi hyrë në lojëra për ta sjellë vaksinën nga vendet e Lindjes, të cilat vaksina nuk janë të certifikuara nga vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë para disa ditësh kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

(Faton Dërmaku / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pasur një urim të…