Spanja bëhet shteti i katërt evropian që legalizon eutanazinë

18 mars 2021 | 16:01

Spanja është bërë shteti i katërt evropian që e ka legalizuar eutanazinë. Vendimi është marrë me përkrahjen e 202 deputetëve, 141 të tjerë kanë votuar kundër dhe dy kanë abstenuar.

Kështu, Spanja i është bashkuar Holandës, Belgjikës dhe Luksemburgut në grupin e shteteve që e kanë dekriminalizuar plotësisht procedurën, ndërsa Zvicra lejon disa forma të vetëvrasjes së asistuar.

Kanadaja është shteti i vetëm jashtë Evropës që ka ligj për lejimin e eutanazisë, shkruan “Daily Mail”.

Përkrahja e spanjollëve për këtë lloj ligji është rritur pas disa rasteve të profilit të lartë, përfshirë atë të Ramon Sampedros, shkrimtar që ishte paralizuar nga qafa e poshtë pas një aksidenti.

Ai kishte bërë fushatë për të drejtën që t’i japë fund jetës së vet për 29 vjet, para se të vdiste nga helmimi me cianur të kaliumit në vitin 1998.

Sampedro, që nuk mundte ta vriste veten për shkak se ishte i paralizuar, ishte detyruar që të përdorte metodë të veçantë me disa hapa e disa persona, në mënyrë që asnjëri prej tyre të mos mund të fajësohej për vdekjen e tij.

Një ligj të ngjashëm ka miratuar edhe Portugalia në janar të këtij viti, por ai është bllokuar këtë javë nga Gjykata Kushtetuese.

Legjislacioni i ri në Spanjë do të mundësojë që eutanazia të kryhet në atë mënyrë që stafi mjekësor t’i japë fund jetës së një njeriu për ta çliruar nga vuajtjet. Me ligjin e ri lejohet edhe vetëvrasja e asistuar, e cila duhet të kryhet nga vetë pacienti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besnik Berisha, avokati i të dyshuarit për vrasjen e Agonis…