Lala: Kjo është arsyeja pse Rashica nuk u transferua te Milani

21 mars 2021 | 13:09

Ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare dhe menaxheri i Milot Rashicës, Altin Lala ka treguar se klienti i tij ishte afër kalimit te ekipi i Milanit verën e shkuar.

Ai në emisionin “Zona Gol” foli për eliminatoret e Kupës së Botës, talente të kuqezinjve si Broja e Çepele, por zbuloi edhe një prapaskenë me sulmuesin e Kosovës, Milot Rashica.

“Miloti tani ka arritur njëfarë niveli, shumë skuadra e kanë ndjekur dhe kanë dashur ta marrin, por ky vit ka qenë problematik për shkak të Covidit dhe Werder Bremenin. Në verë me shumë gjasa do të kemi një transferim te Rashica. Gjasat ishin të mëdha që në qoftë se do të bëhej Ralf Rangnik trajner i Milanit dhe Milot Rashica do të kalonte te kuqezinjtë, por ajo nuk ndodhi”, ka thënë Lala.

Tutje ai analizoi edhe gjasat e Shqipërisë në eliminatoret për Kampionatin Botëror.

“Unë mendoj që gjithmonë kualifikueset për kampionatin Botëror janë gjithmonë të forta. Duhet të kemi qëllim të dalim përpara Hungarisë dhe të sulmojmë Poloninë. Kemi grup lojtarësh të mirë dhe trajner me eksperiencë. Gjasat janë të mëdha që të zhvillojmë një edicion të mirë”, ka shtuar Lala.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (11) Shkruan: Bedri Islami…