Fitojnë Belgjika dhe Portugalia, Ukraina frenon Francën

24 mars 2021 | 23:07

Janë luajtur ndeshjet e para të fazës eliminatore të Botërorit Katar 2022. Fitore shtëpiake dhe nisje e mbarë për Belgjikën dhe Portugalinë, Ukraina frenon kampionët në fuqi të Francës në Paris, teksa Kroacia bie në Lubjanë në derbin kundër Sllovenisë.

“Djajtë e Kuq” të Martinez triumfuan 3-1 në shtëpi kundër Uellsit të Gareth Bale. Skuadra mike kaloi e para në avantazh në minutën e 11-të. Harry Wilson finalizoi një kundërsulm shumë të bukur të Uellsit, gol që zgjoi nga gjumi vendasit.

Kevin De Bruyne dhe Thorgan Hazard përmbysën disavantazhin brenda 6 minutave, ndërsa Romelu Lukaku vulosi suksesin e Belgjikës me një penallti të kthyer në gol në pjesën e dytë. Franca dhe Ukraina e mbyllën në barazim 1-1 takimin mes tyre.

Antoine Griezmann realizoi një eurogol në minutën e 19-të. Sallakja e sulmuesit të Barcelonës përfundoi në trekëndësh, por djemtë e Andriy Shevchenkos nuk u dorëzuan dhe evituan disfatën. Ukraina pati edhe fatin me vete në minutën e 57-të, moment kur Presnel Kimpembe, mbrojtësi i PSG-së, shënoi një autogol në portën e tij.

Nga një gol dhuruan takimet Portugali-Azerbajxhan dhe Slloveni-Kroaci. Luzitanët iu gëzuan një fitoreje minimale falë autogolit të Maksim Medvedev në pjesën e parë.

Sllovenia iu fal rrjetës së Sandi Lovric pas çerek ore lojë për të thyer Kroacinë. Nënkampionët e botës tentuan deri në fund për të marrë një pikë, por nuk i dolën dot në derbin e Ballkanit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri i Kosovës, Samir Ujkani, vlerëson se ka qenë shumë…