KEDS dixhitalizon komplet rrjetin elektrik të tensionit të mesëm
Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike-KEDS, ka dixhitalizuar komplet rrjetin elektrik të Tensionit të Mesëm. Puna për dixhitalimin e të gjitha nënstacioneve, pra të 69 nënstacioneve me sistemin SCADA ka zgjatur tri vite dhe tashmë ky dixhitalizim do të ofrojë informata në kohë reale për secilën ndodhi në rrjetin elektrik.
Përmes sistemit SCADA bëhet kontrollimi dhe vizualizimi i sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, ku çdo kyçje apo shkyçje e daljeve do të bëhet në distancë përmes këtij sistemi.
Sipas zyrtarit për komunikime në KEDS, Adlum Ramadani, me këtë investim është bërë automatizimi i nënstacioneve dhe si rezultat është rritur efikasiteti i operimeve.
“KEDS përgjatë këtyre tri viteve të fundit ka investuar fuqishëm në dixhitalizim dhe modernizim të rrjetit elektroenergjetik në vend përmes sistemit SCADA. Pra, përmes këtij sistemi arrihet që të monitorohet dhe kontrollohet i gjithë sistemi elektroenergjetik në nivel vendi, që nënkupton se të dhënat dhe informatat të cilat ndodhin në terren pranohen në kohë reale në këtë qendër dispeçerike përmes të cilës të njëjtat pastaj barten tek ekipet e terrenit duke mundësuar intervenim më të shpejtë në terren dhe duke mundësuar shërbime më kualitative për konsumatorët tanë. Përmes këtij investimi është arritur të dixhitalizohet dhe modernizohet gjithsej një numër prej 69 nënstacioneve në nivel të Kosovës, pra i gjithë niveli i tensionit të mesëm ka arritur të dixhitalizohet apo të aumatizohet, që do të ndikojë drejtpërdrejtë edhe në shërbime më kualitative për konsumatorët tanë”, ka deklaruar ai.
Ai tutje ka thënë se përmes sistemit SCADA, KEDS ka arritur të përmirësojë dukshëm shërbimin në raport me konsumatorët, pasi që tashmë është shkurtuar kohëzgjatja e ndërprerjeve të energjisë elektrike.
Ramadani: Kohëzgjatja e ndërprerjeve të jetë sa më e shkurtër dhe konsumatorët të afektohen sa më pak
“Përmes këtij sistemi i cili është ndër sistemet më të avancuara sa i përket aspektit të monitorimit dhe kontrollimit të sistemit nga distanca është arritur që KEDS të përmirësojë dukshëm shërbimin në raport me konsumatorët, kjo pasi që informatat të cilat pranohen në kohë reale nga terreni të njëjtat përpunohen dhe ofrohen mundësitë që të krijohen analiza të brendshme që në vijim pastaj të planifikohen investime duke mundësuar kështu që edhe kohëzgjatja e ndërprerjeve të jetë sa më e shkurtër dhe konsumatorët të afektohen sa më pak në rast të një avarie në terren”, tha ai.
Ramadani ka dekalruar se KEDS-i, synon që në një të ardhme sa më të afërt të përfshijë një numër sa më të madh të rrjetit në procesin e dixhitalizimit.
Ramadani: KEDS synon të përfshij një përqindje sa më të madhe të rrjetit në procesin e dixhitalizimit
“KEDS synon që të përfshijë një numër apo një përqindje sa më të madhe të rrjetit në procesin e dixhitalizimit. Tashmë krahas përfshirjes së tensionit të mesëm në sistemin SCADA së shpejti pritet që të fillojë edhe inkuadrimi i stabilimenteve shpërndarëse të tensionit të ulët, të cilat afektojnë drejtpërdrejtë konsumatorin”, tha ai.
KEDS ka filluar digjitalizimin e nënstacioneve me sistemin Scada në vitin 2018. Tani të gjitha nënstacionet kanë të integruar këtë sistem përmes së cilit bëhet kontrollimi dhe vizualizimi i sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Pra, çdo kyçje apo shkyçje e daljeve do të bëhet në distancë përmes këtij sistemi, sa herë të shfaqet nevoja. Ky është edhe synimi i KEDS, që rrjeti shpërndarës t’i përkas teknologjisë së fundit, prandaj me instalimin e sistemit Scada si dhe shumë projekteve tjera gjatë këtyre 7 viteve, KEDS po përmbush zotimin për të ofruar shërbime moderne për konsumatorët e vet.