Kurti: Çështja e të pagjeturve, prioritet në raportet me Serbinë

26 mars 2021 | 13:11

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në raportet me Serbinë, çështja e të pagjeturve do të jetë përparësi.

“Padyshim që në raportin me Serbinë e kemi prioritet çështjen e të pagjeturve dhe krimeve të kryera gjatë luftës, pasi nuk mund të kemi ardhmëri, paqe, drejtësi dhe progres nëse nuk i trajtojmë këto krime makabre që janë kryer mbi popullin tonë”, ka thënë Kurti.

Ai këto komente i bëri gjatë homazheve te Kompleksi Memorial në Krushë të Madhe.

Kurti ka pohuar se drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës nga Serbia mungon dhe është obligim institucional të ketë angazhim maksimal në këtë çështje.

Fshati Krushë e Madhe ka qenë njëri ndër vendbanimet më të goditura nga lufta në Kosovë më 1998-99. Aksioni i forcave policore e ushtarake serbe në këtë fshat nisi më 25 dhe zgjati deri më 27 mars të vitit 1999.

Në këtë masakër u vranë 243 qytetarë, nga ta shtatë fëmijë, pesë gra (njëra shtatzënë) dhe kanë mbijetuar 25 të plagosur rëndë. Ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe 64 persona nga ky fshat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tërheqja e 10 përqindëshit nga Trusti ka gjetur më së…