Kushtetuesja: Letër-urimet janë standard në vendet demokratike

26 mars 2021 | 20:04

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka reaguar pas polemikave se ky institucion ka shprehur urimet e saj me rastin e zgjedhjes së Albin Kurtit, kryeministër të vendit.

Siç njofton Kushtetuesja, dërgimi i letrave të urimit përbën standard, gjë që theksohet se do të vazhdohet edhe në të ardhmen.

“Dërgimi i letër-urimeve me rastin e emërimeve të zyrtarëve më të lartë shtetëror në Republikën e Kosovës: President, Kryeparlamentar, Kryeministër, Kryetar i Gjykatës Supreme, Avokat i Popullit dhe bartës të tjerë institucional, ka qenë dhe do të mbetet praktikë e Gjykatës Kushtetuese edhe në të ardhmen”, thotë GJK-ja.

Tutje theksohet se letër-urimet e tilla janë dërguar nga Gjykata edhe në rastin e zgjedhjes së kryeministrave pa dallim të përkatësisë partiake, pra si nga PDK, LDK, AAK dhe së fundi edhe LVV.

“Kjo pra assesi nuk duhet dhe nuk mund të perceptohet si “nënshtrim” ndaj asnjë institucioni tjetër, por ekskluzivisht dhe vetëm si shprehje e vullnetit të mirë për bashkëpunim ndër-institucional, me qëllim të promovimit dhe të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”.

Reagimi erdhi pasi LDK-ja më herët kishte shprehur brengosjen për siç thonë afërsinë e paprecedentë të Gjykatës Kushtetuese me Qeverinë, përkatësisht pushtetin.

“Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese ka qenë vlerë e jashtëzakonshme e pjekurisë demokratike të institucionit që për vite ka ruajtur kredibilitetin e vet. Pushteti i Gjykatës është i ndarë dhe i pavarur nga ai i Qeverisë dhe si i tillë duhet të mbetet gjithëherë”, thuhet në reagim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Filloi një nga projektet më të mëdha, donacion nga KFW…