Kurti po tregon se nuk është i interesuar ta zgjedhë presidentin
Anëtari i Kryesisë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka bërë me dije se është detyrë e fituesit të zgjedhjeve që ta sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për zgjedhjen e presidentit të ri.
Ai ka deklaruar se me sjelljet që po i bën Kurti po tregon se nuk është i interesuar ta zgjedhë presidentin e ri.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka përsëritur qëndrimin e PDK-së se nuk ka votë për Vjosa Osmanin presidente.
“Ne nuk kemi parë ndonjë gatishmëri të fituesit për t’i siguruar votat për president apo duke u përpjekur të gjejë një kandidat të pranueshëm për të gjitha palët. Ata fillimisht është dashur ta zgjedhin presidentin e mandej qeverinë. Nga kjo është parë që z. Kurti nuk ka interes ta zgjedhë presidentin. Këshilli Drejtues në mënyrë unanime ka marrë qëndrim që PDK-ja nuk ka votë për kandidatë për presidentë që janë me begraund politik. Pra, që nuk ka votë as për znj. Vjosa Osmani”, ka thënë Gjoshi.
Ai ka treguar edhe arsyet se pse PDK-ja nuk do ta votojë Osmanin për presidente.
“Ajo është treguar në vazhdimësi figurë përçarëse dhe nuk është e denjë për person që ta ruajë unitetin qytetar siç e kërkon Kushtetuta. Po, z. Kosnett ka paraqitur qëndrimet e tij ku, mes të tjerash, na ka kujtuar se sa i papërgjegjshëm ka qenë opozitarizmi i Vetëvendosjes, e cila sot ka fituar zgjedhjet”, është shprehur ai.
Më tutje, Gjoshi ka thënë se nëse për shkak të moszgjedhjes së presidentit vendi shkon në zgjedhje, përgjegjës është Albin Kurti. “Nëse vendi shkon në zgjedhje, përgjegjës është Albin Kurti dhe fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe jam shumë i bindur që qytetarët e Kosovës do ta ndëshkojnë z. Kurti që nuk ka bërë as përpjekjen minimale që të mos e dërgojë vendin në zgjedhje, por e ka bërë të kundërtën. Ai, siç po shihet, nuk është i gatshëm të marrë përgjegjësi dhe po e dërgon vendin nga një krizë në tjetrën”, ka deklaruar ai.
“Epoka e re”: Z. Gjoshi, në fillim të javës Kuvendi ka votuar qeverinë e re. Çfarë vlerësimi keni për kabinetin e kryeministrit Kurti?
Gjoshi: Kabineti qeveritar “Kurti 2” ka një përbërje pa ndonjë provojë apo ekspertizë të madhe. Kryesisht janë njerëz që e kanë dëshmuar veten në ndonjë fushë. Pra, janë njerëz që kanë një begraund militantesk partiak. Për të paktën tre nga ta kemi pasur reagime nga shoqëria civile për problemet që kanë me ligjin, apo për angazhimet e tyre në të kaluarën.
“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja nga kjo qeveri?
Gjoshi: Ne nuk kemi parë ende ndonjë program të prezantuar nga ta as në fushatë as tash pas fushatës që ta japim vlerësimin tonë. Ka shumë dilema se si do të sillet ky kabinet karshi interesave qytetare.
“Epoka e re”: Si do të sillet PDK-ja si opozitë në këtë mandat?
Gjoshi: Si opozitë nuk do të lëmë mjet demokratik pa përdorur për ta ushtruar rolin që kemi. PDK-ja do ta luajë rolin që ia ka dhënë votuesi më 14 shkurt, nga këndi i opozitarit do të kujdeset për interesat e qytetarëve. Do të jemi të zëshëm çdoherë kur cenohet interesi qytetar dhe interesi shtetëror. Por, edhe do të prezantojmë alternativa që janë në interes të qytetarëve të Kosovës.
“Epoka e re”: Për çështjen e presidentit PDK-ja e ka bërë të qarë se nuk ka votë për Vjosa Osmanin, por ambasadori amerikan e ka ftuar opozitën të qëndrojë në sallë në seancën që do të votohet presidenti. Si e keni parë këtë qëndrim të ambasadorit Kosnett?
Gjoshi: Më lejoni të them se është detyrë e fituesit të zgjedhjeve ta sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për president. Ne nuk kemi parë ndonjë gatishmëri të fituesit për t’i siguruar votat për president apo duke u përpjekur të gjejë një kandidat të pranueshëm për të gjitha palët. Ata fillimisht është dashur ta zgjedhin presidentin, pastaj qeverinë. Nga kjo është parë që z. Kurti nuk ka interes ta zgjedhë presidentin. Këshilli Drejtues në mënyrë unanime ka marrë qëndrim që PDK-ja nuk ka votë për kandidat për president që janë me begrand politik. Pra, nuk ka votë as për znj. Vjosa Osmani. Ajo është treguar në vazhdimësi figurë përçarëse dhe nuk është e denjë për person që ta ruaje unitetin qytetar siç e kërkon Kushtetuta. Po, z. Kosnettika paraqitur qëndrimet e tij ku, mes të tjerash, na ka kujtuar se sa i papërgjegjshëm ka qenë opozitarizmi i Vetëvendosjes, e cila sot ka fituar zgjedhjet.
“Epoka e re”: Nëse nuk zgjidhet presidenti vendi mund të shkojë në zgjedhje. Është e gatshme PDK-ja për zgjedhje të reja?
Gjoshi: Nëse vendi shkon në zgjedhje përgjegjës është Albin Kurti dhe fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit, dhe jam shumë i bindur që qytetarët e Kosovës do ta ndëshkojnë z. Kurti që nuk ka bërë as përpjekjen minimale që të mos e dërgojë vendin në zgjedhje, por e ka bërë të kundërtën. Ai, siç po shihet, nuk është i gatshëm të marrë përgjegjësi dhe po e dërgon vendin nga një krizë në tjetrën.
(Muhamet Koci)