BQK-ja: Rënia ekonomike e Kosovës për vitin e kaluar pritet të jetë 5.2 për qind

28 mars 2021 | 12:50

Rënia ekonomike për vitin 2020 pritet të jetë 5.2 për qind, ndërsa aktiviteti ekonomik për vitin aktual do të jetë më pozitiv. Kështu ka deklaruar, në një intervistë për “Telegrafi”, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore i Kosovës, Sokol Havolli.

“Në vlerësimin e trajektores të ekonomisë gjatë fazave të hershme, Banka Qendrore ka dalë me vlerësimin se do të ketë rënie rreth 3 për qind. Pastaj, në muajin shtator të 2020-s e kemi bërë një rivlerësim dhe është vërejtur se për shkak të ndikimit të pandemisë në ekonomi, rënia mund të jetë edhe më e thellë dhe kemi dalë me një rivlerësim se rënia do të jetë 7.2 për qind. Tani të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës sugjerojnë se rënia mund të jetë pak më e vogël se 7.2 për qind, ku aktualisht e kemi pozicionin që rënia ekonomike mund të jetë 5.2 për qind për vitin 2020. Për t’i dhënë parashikimet për vitin 2021, pritjet e Bankës Qendrore në krahasim me vitin e kaluar janë se aktiviteti ekonomik do të duhej të jetë më pozitiv, sepse nuk kemi arsye të mendojmë se do të vazhdojë recesioni edhe për këtë vit”, ka thënë Havolli.

Ai ka shtuar se, pavarësisht prej pandemisë Covid-19, ka pasur rritje të dhënies së kredive mbi 200 milionë euro më shumë.

“Fillimisht në kohën e mbylljes totale ka pasur një rënie për ata muaj, pastaj kur kanë filluar të lehtësohen masat në qershor e tutje ka pasur rikthim të aktivitetit kreditor, sepse prej sektorit bankar është vlerësuar si rikthim i aktivitetit, madje muaji korrik i vitit të kaluar e tejkaluar korrikun e vitit 2019 në kontekst të kredisë. Nëse e shohim si vlerë totale e kredive që ekzistojnë sot në treg, i kemi 3.2 miliardë euro që është mbi 200 milionë euro kreditimi më i lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak apo një rritje prej 7.1-përqindësh”, ka treguar ai. Në këtë intervistë, Havolli ka thënë se janë shtyrë 735 milionë euro dhe janë riprogramuar 367 milionë euro të pagesës së këstit të kredive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Kosovë, të dielën (sot) më 28 mars, do të…