Rama: Kemi hyrë në fazën finale të luftës kundër pandemisë

28 mars 2021 | 17:17

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka deklaruar së Shqipëria ka hyrë në fazën finale të luftës kundër pandemisë Covid-19.

Në ditën e fillimit të vaksinimit masiv, ai ka thënë së Shqipëria ka nisur çlirimin nga ankthi.

“Sot ka nisur çlirimi nga ankthi në shpirtin e mijëra gjysheve dhe gjyshërve të këtij vendi, që për shkak të rrezikut të madh që i kërcënon në këtë kohë të mallkuar, ku bota përballet me armikun e padukshëm, kanë qenë të detyruar të mbyllen brenda dhe të privohen nga shumë orë në ajër të pastër, të privohen nga shumë kontakte me nipërit, me mbesat, të privohen nga shumë ulje me njëri tjetrin dhe ndërkohë të mësojnë çdo ditë lajme të hidhur për bashkëmoshatarë të tyre që ndërrojnë jetë si rezultat i marrjes së frymës dhe i ndalimit të rrahjeve të zemrës nga agresioni i armikut të padukshëm”, ka deklaruar Rama.

Ai ka deklaruar se nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të shohësh mijëra gjyshe e gjyshër të marrin vaksinën. “Sot kemi hyrë në fazën finale të kësaj lufte dhe faktikisht çdo ditë nga sot është një hap kolosal drejt fitores përfundimtare mbi këtë mortje, që prej një viti e kusur e ka ndryshuar rrënjësisht kuptimin e jetës sonë dhe ka penguar çdonjërin prej nesh të marrë frymë thellë për të parë të ardhmen në një përpjekje të përditshme për ti mbijetuar të tashmes. Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të shohësh mijëra e mijëra gjyshe e gjyshër pa asnjë dallim që të marrin vaksinën. Është një nga ato momente që kush do e kupton që politika në vetvete nuk është diçka e keqe. Përkundrazi, politika ka lindur për këtë, për të bërë gjëra si këto. Kur politika bie në duar të mira bën punë të mira. Kur bie në duar të këqija bën punë të këqija”, ka thënë Rama. /tvklan.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca reagoi pas barazimit shtëpiak kundër Ukrainës dhe mori tre…