Pantina dënohet për hedhjen e gazit lotsjellës në vitin 2016

29 mars 2021 | 12:26

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 400 euro gjobë ish-deputeten e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shqipe Pantina, pasi e njëjta ka pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe atë të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Isuf Makolli, Pantina është dënuar me 400 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, kurse me 6 muaj burgim me kusht për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj saj është shpallur pas shqyrtimit fillestar të mbajtur të hënën, ku pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fitore Sadikaj, Pantina është deklaruar fajtore.

E njëjta gjithashtu është ngarkuar me shpenzimet e procedurës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të 11 gushtit 2016, Shqipe Pantina akuzohet se më 27 shkurt 2016, rreth orës 16:30, në sallën e punimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë të paautorizuar ka poseduar një bombol gazi lotsjellës, të cilën ka tentuar ta ndezë në ulësen ku ishte e ulur afër grupit të vet parlamentar dhe e njëjta i është konfiskuar nga ana e policisë.

Me këtë, Pantina akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, e pandehura ka sulmuar personat zyrtar, policët Valdete Gubetini dhe Fikrije Rashica, të cilat ishin në kryerjen e detyrave zyrtare, derisa të dëmtuarit ishin duke u përpjekur që të pandehurës t’ia marrin bombolën e gazit lotsjellës nga dora, me ç’rast të dëmtuarës-polices Valdete Gubetini i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këtë, ajo është akuzuar se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deçani është i njohur për mundësitë e shumta për kultivimin…