Këtë javë përfundon vaksinimi i arsimtarëve në Shqipëri

29 mars 2021 | 16:42

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka parë nga afër procesin e vaksinimit në Stadiumin “Air Albania”, ku procesi është duke vazhduar me kalendar të kombinuar për pedagogët, paralelisht me dozat e dyta për stafin mjekësor dhe të moshuarit.

“Po vijojmë me vaksinën ‘Pfizer’, ‘AstraZeneca’ dhe ‘Sputnik’ këtu në stadiumin ‘Air Albania’ për arsimtarët si dhe rivaksinimet për personelin shëndetësor dhe të moshuarit. Është shumë e rëndësishme për të përmbyllur vaksinimin e arsimtarëve, kjo javë duhet t’i dedikohet përmbylljes së vaksinimit të mësuesve, pedagogëve, edukatorëve dhe vijojmë më tej me vaksinimin e të moshuarve”, ka thënë Manastirliu, raporton “TCh”.

Ndërsa drejtoresha e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami, ka thënë se procesi i vaksinimit në këtë pikë të përqendruar, ka vazhduar pa u ndalur që prej ditës së parë.

“Në stadiumin ‘Air Albania’ po vijon vaksinimi i stafit mjekësor dhe i të moshuarve për dozat e dyta dhe dozat e para për pedagogët dhe arsimtarët. Vaksinimi ka vijuar pa ndërprerje nga dita e parë”, ka thënë Cami.

Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer mbi 78 mijë doza të vaksinës ndaj Covid-19. Prej këtij numri, janë kryer 31 645 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 26 158 vaksinime për të moshuarit dhe 20 582 arsimtarë janë vaksinuar deri më tani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, më 29 mars, u bënë 22 vjet kur dora…