Utah bie ndaj Dallasit, Brooklyni rimerr kreun
Utah Jazz nuk ka arritur të ruajë serinë prej nëntë fitoresh radhazi në kampionat, pasi është mposhtur në transfertën ndaj Dallas Mavericks me shifrat 111-103, në një ndeshje ku protagonist absolut ishte slloveni Luka Donqiq me 31 pikë të shënuara, 9 rikuperime dhe 8 asistime.
Vendasit e nisën mirë sfidën dhe arritën të mbajnë kontrollin e saj në tre fraksionet e para, teksa veçanërisht pjesën e tretë e fituan me 10 pikë diferencë, duke mbyllur llogaritë e ndeshjes dhe duke ulur disi ritmin në fund. Nga ana tjetër kryesuesit e Konferencës së Perëndimit bënë mirë në fraksionin final, por kjo nuk mjaftoi që të rikuperojnë diferencën e madhe të pikëve dhe të shmangin humbjen.
Brooklyn Nets ka lënë menjëherë pas krahëve humbjen në transfertën ndaj Chicago Bulls, pasi ia ka dalë në triumfojë me rezultatin e ngushtë 114-112 në derbin ndaj New York Knicks dhe të rimarrë kryesimin e Konferencës së Lindjes.
Kyrie Irving ishte protagonist absolut për Nets në “Barclays Center” të New Yorkut, pasi shënoi 40 pikë, rikuperoi 2 topa dhe dha 7 asistime, ndërsa James Harden qëndroi vetëm 4 minuta në parket, duke mos arritur të lërë gjurmë.
Knicks e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe fituan të dy fraksionet e para, duke dhënë idenë se do t’i shkaktonin humbjen e dytë radhazi Brooklynit, por këta të fundit reaguan mirë në pjesën e tretë, duke përmbysur gjithçka. Një nga ndeshjet më spektakolare të mbrëmjes ishte edhe ajo e “Toyota Center” mes Houston Rockets dhe Phoenix Suns, që u fitua nga këta të fundit me rezultatin e ngushtë 130-133.
Pas një pjese të parë të mbyllur në barazim 34-34, Suns bënë mjaft mirë në fraksionin e dytë duke u shkëputur me 10 pikë diferencë dhe më pas ndonëse humbën dy pjesët e tjera, ia dolën të ruajnë avantazhin dhe të regjistrojnë fitoren e 6 radhazi në kampionat.
Devin Booker ishte protagonist absolut për Phoenix Suns, pasi shënoi 36 pikë, rikuperoi 6 topa dhe dha 6 asiste, por vlen të theksohet se një ndeshje mjaft të mirë bëri edhe basketbollisti nga Bahamasi, Deandre Ayton. Në ndeshjet e tjera, Minnesotta Timberwolves triumfoi me shifrat 116-106 ndaj Sacramento Kings, ndërsa Cleveland Cavaliers fitoi me rezultatin 101-125 në transfertën ndaj San Antonio Spurs. /SS/