ShBA-ja do ta vazhdojë partneritetin me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në

14 prill 2021 | 14:53

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Ambasadori Kosnett e ka uruar ministrin Mehaj për detyrën, duke i shprehur vullnetin  e tij për bashkëpunim në të ardhmen.

Ndërsa ministri Mehaj ka shprehur falënderimin për vizitën, duke theksuar mirënjohjen e thellë për ShBA-në në mbështetjen e pazëvendësueshme për vendin tonë si dhe në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e gjithëmbarshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Ai ka theksuar se mbështetja e deritashme e ShBA-së ka qenë jetike në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së, që u kurorëzua edhe me pjesëmarrjen e kontingjentit të parë të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit së bashku me forcat ushtarake amerikane.

Ministri Mehaj e ka njoftuar ambasadorin Kosnett edhe me objektivat  kryesore të tij, duke shprehur vullnetin për realizimin e tyre në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me ShBA-në dhe vendet tjera partnere.

Ai ka theksuar se FSK-ja është dhe do të jetë forcë profesionale me vlera dhe standarde të vendeve të NATO-s nën kontrollin civil demokratik dhe gjithnjë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim dhe në shërbim të  paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.

Më tutje, ambasadori Kosnett ka premtuar se ShBA-ja përmes bashkëpunimit me Armatën e ShBA-së, Gardën Kombëtare të Ajovës, dhe programeve tjera, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë partneritetin me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.

Në fund të këtij takimi, Mehaj dhe Kosnett  janë pajtuar të intensifikohet edhe më tutje bashkëpunimi bilateral në mes të dy vendeve, sidomos në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, ka shfrytëzuar rrjetet…