Rogova: Drenica e siguron mbijetesën pa ‘play-off’

15 prill 2021 | 20:00

Kampionati elitar i Kosovës në futboll ka hyrë në fazën e fundit dhe gara për titull, por edhe ajo për mbijetesë, po bëhet gjithnjë e më interesante.

Skuadra e Drenicës, e cila në këtë edicion po lufton për mbetjen në Superligë, ndeshjen e radhës e zhvillon ndaj Besës së Pejës. Futbollisti Dardan Rogova ka thënë për “Epokën e re” se nga Peja do të rikthehen me tri pikë. “Jemi përgatitur mjaft mirë për ndeshjen e radhës që e kemi ndaj Besës.

Kundërshtari ynë është një ekip mjaft i papërshtatshëm pasi që luan pa presion dhe gjithmonë kundër këtyre ekipeve duhet pasur kujdes, por besoj se do të kthehemi me tri pikë”, ka deklaruar Rogova.

Lidhur me mbetjen në elitë, Rogova është optimist se skuadra kuqezi do të arrijë këtë sukses pa pasur nevojë të luajë në “play-off”. “Besoj se do ta sigurojmë mbijetesën edhe pa ‘play-off’ pasi, përveç orarit mjaft të mirë, e kemi edhe një skuadër mjaft cilësore për të arritur këtë qëllim”, ka thënë Rogova.

Sulmuesi me përvojë nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe në kampionatin e ardhshëm të jetë pjesë e skuadrës nga Skenderaj, por ai konfirmoi se do të ketë edhe një bisedë me presidentin e klubit. “Kontratë kam edhe për sezonin tjetër po me marrëveshje të dyanshme, por kur të mbarojë kampionati do të ulemi me presidentin dhe të bisedojmë për të ardhmen”, ka shtuar sulmuesi gjakovar.

Pas 28 xhirove të zhvilluara, Drenica zë vendin e tetë me 30 pikë të grumbulluara. Kjo skuadër ka regjistruar shtatë fitore, nëntë barazime dhe dymbëdhjetë humbje. Dardan Rogova ka një karrierë mjaftë të pasur, pasi ka luajtur me sukses të plotë për Vëllaznimin, Besën në Kosovë dhe, gjithashtu, ka përvojë edhe në futbollin e Shqipërisë dhe Turqisë.

 

/Veton ZYMBERI/  

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bekim Muja, babai i 15 vjeçarit A. Muja, i cili…