Gjilani nderon zyrtarin që vdiq dje nga Covidi
Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19 në Gjilan ka mbajtur takimin për vlerësimin e situatës epidemiologjike për dy ditët e fundit.
Është bërë me dije se ky komitet e ka nisur mbledhjen me një minutë heshtje në nderim të kontributit të jashtëzakonshëm të zyrtarit komunal, njëherësh anëtar i këtij komiteti, Ymer Demolli, i cili dje e ka humbur betejën me Covid-19.
Zyra për informim e kësaj komune ka njoftuar se nënkryetari Arbër Ismajli e ka vlerësuar lartë angazhimin e Demollit në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, i cili për dy dekada ka shërbyer në mënyrë profesionale në cilësinë e zyrtarit për planifikim emergjent.
Ndërkohë, ai ka njoftuar se aktualisht 72 qytetarë të Gjilanit janë duke u trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm, ndërsa 624 raste janë aktive. Me këtë rast, Ismajli u ka bërë apel qytetarët që t’i respektojnë masat kundër përhapjes së Covid-19.