Grupi i Deputetëve të Pavarur përkrah protestën e BSPK-së

30 prill 2018 | 17:17

Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP), i ka dhënë përkrahje protestës së nesërme, në Ditën e Punëtorëve – 1 Maj, organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Sipas GDP, gjendja e punëtorëve në vendin tonë është tepër e rëndë. “Vetëm në vitin e fundit janë 6 punëtorë që kanë gjetur vdekjen në vendin e punës, për çfarë nuk është dhënë kurrfarë përgjegjësie institucionale. Ndërkohë që siguria në punë mbetet çështje e pazgjidhur, që flet për rrezikshmëri të vazhdueshme të jetës së punëtorëve. Përveç mungesës së sigurisë në vendin e punës, punëtorët në Kosovë ballafaqohen me vështirësi të tjera të përditshme në vendin e punës, e veçanërisht ata në sektorin privat. Pagat e ulëta dhe mungesa e kontratave, pastaj kontratat afatshkurtër janë manifestimi më i vërejtshëm i shfrytëzimit të punëtorëve, të cilëve shpesh nuk iu lejohet as organizimi sindikal”, thuhet nw njoftimin e GDP, duke u shtuar si të nevojshme kërkesat nga BSPK për zbatimin e ligjeve dhe kontratës kolektive, sigurinë në punë, njohjen e përvojës së punës për vitet 1990-‘99, si dhe sigurimin shëndetësor. “Realizimi i këtyre kërkesave, sipas GDP-së, është i domosdoshëm, “prandaj 1 Maji duhet të jetë ditë proteste ndaj padrejtësive të përditshme që e karakterizojnë jetën e punëtorit dhe thirrje e fuqishme për plotësimin e këtyre kërkesave të drejta dhe urgjente. Me këtë rast, në ditën ndërkombëtare të punës bëjmë thirrje për të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në protestën e nesërme, e cila fillon në ora 11:00, nga sheshi ‘Zahir Pajaziti’”, përfundoi njoftimi i GDP.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Danimarka mund të jetë e hapur ndaj stimujve financiarë për…